Cungu: Humbja na zhgënjen, pasi është disfata e dytë radhazi

0
SHPËRNDAJE

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, pas ndeshjes me Partizanin, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Sokol Xhihani, u shpreh se kjo humbje e zhgënjen atë dhe stafin e tij, ndërsa thekson se kjo humbje nuk duhej të vinte në këtë moment, pasi është disfata e dytë radhazi.

“Humbja na zhgënjen, sepse është disfata e dytë rradhazi dhe përsëri e pësojmë në fund. Është edhe mungesë përqendrimi e jona.

Megjithatë, unë nuk mund ta qortoj skuadrën, lojtarët kanë dhënë më të mirën dhe kaq është maksimumi i kësaj Vllaznie. Duhet të vendosemi në lëvizje të gjithë, sepse është një moment delikat.”

“Nëse në dy fazat e para ecëm më mirë, kjo ka ardhur edhe për faktin se lufta nuk ishte kaq e egër sa tani. Nuk ndërtuam ndonjë skuadër të nivelit të lartë dhe e kam thënë gjithmonë që duhet kujdes dhe të qëndrojmë sa më larg fundit të tabelës, sepse është një kampionat shumë i vështirë.”

“Nuk duhet të vazhdojmë kështu, sepse ne po luajmë futboll vetëm në fushën e lojës dhe do ta kemi të vështirë. Duke parë ndeshjet e Vllaznisë gjatë gjithë sezonit, ka shumë episode të dyshimta kundër nesh dhe duket sikur gjyqtarët, me në krye arbitrin e sotëm, Enea Jorgji janë gati të vërshëllejnë në çdo rast kundër nesh.”

“Në pjesën e parë luajtëm më mirë, por kemi vështirësi si në lojën pa top, ashtu edhe me top. Kemi pasur edhe disa momente të mira, por ka munguar pasimi i fundit.

Në pjesën e dytë ekipi u tërhoq më shumë sesa duhej dhe në këtë mënyrë u krijua distancë e madhe mes mesfushës dhe sulmit. Partizani ushtroi shumë presion, por duke parë si shkoi ndeshja, mendoj se e meritonim një pikë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.