Cungu: Jam i kënaqur, bëmë gjithçka mirë

0
SHPËRNDAJE

armando-cunguTrajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, pas ndeshjes me Korabin, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Frenkli Ymeri, është i kënaqur me Vllazninë e tij, ku pas kritikave në lidhje me lojën e zhvilluar, pas fitores së sotme ndaj Korabit vlerësoi lojtarët e tij për lojën dhe fitoren.

“Jam i kënaqur, bëmë gjithçka mirë, si në lojë, ashtu edhe në rezultat. Shënuam edhe një gol shumë të bukur, me skemën nga goditja e këndit, ku skuadra konkretizoi gjithçka të bukur kemi bërë në stërvitje.”

“Dominuam në lojë dhe rezultat dhe nuk ishte e lehtë, sepse Korabi ka shumë kualitete në përbërje. E kam theksuar gjatë gjithë javës që kjo ndeshje ishte thuajse jetike, duke parë renditjen, ndaj kundër një rivali direkt ishte shumë e rëndësishme për të marrë fitoren dhe për të krijuar një distancë qetësie.”

“Është qetësi momentale, sepse në futboll nuk ka kurrë qetësi, aq më shumë që jemi ende herët dhe tani luajmë një ndeshje të vështirë kundër Skënderbeut.”

“Në përballjet me të fortët çalojmë? Nuk jam dakord, Vllaznia ka treguar që ka potencial të përballet me çdo rival, edhe ato të kreut, sepse kemi ndalur edhe Partizanin, Kukësin dhe Tiranën. Natyrisht, duhet të kërkojmë më shumë dhe të pretendojmë për të shkuar më lart, nëse na jepet mundësia, sepse kampionati është shumë i gjatë, ka edhe dy faza e gjysmë.”

“Objektivat? Unë përsëris atë që kam thënë: Dua një Vllazni tjetër, që të mos rrezikojë humnerën. Nuk është modesti, ne jemi momentalisht në një pozicion komod, por është shumë e vështirë të qëndrojmë në pozita të tilla.”

“Për të shkuar më lart duhen ndonjë përforcim cilësor dhe duhen buxhete më të mëdha, pasi klubet e kreut janë shumë më mirë në këtë drejtim”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.