Cungu: Kënaqësi për fitoren ndaj Tiranës, duhen pikë edhe jashtë fushe

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Trajneri i Vllaznisë Armando Cungu ka të drejtë të buzëqeshë, sepse Vllaznia luan futboll, fiton dhe tashmë sheh edhe vendin e katërt shumë pranë. Nëse do të ishte siguruar kualifikimi në Kupën e Shqipërisë, sezoni do të ishte shumë i mirë. Teksa foli për SuperSport, për gazetarin Ylli Aga, ai tha se është një kënaqësi të fitosh ndaj Tiranës.

“Të fitosh jashtë fushe, aq më shumë në “Selman Stërmasi”, është një kënaqësi për çdo ekip të Superiores, pak rëndësi ka pozicioni në renditje.

“Natyrisht, kështu si ka ardhur kampionati duhen pikë edhe jashtë fushe. Tirana ka vështirësi dhe provuam të marrim diçka më shumë. Gabuam në pjesën e parë, kundërshtari na rrezikoi, nuk duhej të silleshim ashtu. Në pjesën e dytë ndryshuam vendosjen në fushë, pamë më shumë nga sulmi dhe shënuam edhe dy gola”.

“E thashë edhe më parë, duke parë problematikën e Tiranës, ftohtësinë me tifozët dhe problemet e tjera, menduam se mund të merrnim pikët e plota. Natyrisht, edhe një pikë sot nuk do të ishte aspak keq, por kur të vjen mundësia për të marrë 3 pikët, pse mos t’ia dalësh. Bëmë edhe ndryshime gjatë ndeshjes, u fut Hebaj për të rritur mbështetjen për fantazistin Bakaj, ndërsa më pas u tërhoqëm pak, edhe sepse u dëmtuan Tafili dhe Krymi, por e rëndësishme është që nuk u dorëzuam deri në fund.

“Kam fatin të stërvis djem korrektë dhe seriozë, si në çdo klub ku kam punuar. Këta djem janë treguar gjithnjë seriozë dhe uroj të tregohen profesionistë deri në fund. Nuk mund të quhet i mbyllur kampionati dhe u bëj komplimente djemve. Sa për kontratën, jam edhe një muaj e gjysmë te Vllaznia, do të shoh mundësitë e mia, do të qetësohem pak, por për momentin prioritet është mbyllja faqebardhë e këtij kampionati. Të tjerat, le t’ia lëmë kohës.

“Për sa i përket besimit, këta djem e kanë pasur besimin dhe jam munduar gjithmonë që t’u ngjall ndjenjën e besimit, të Vllaznisë, të Shkodrës. Vllaznia është një luan i futbollit shqiptar dhe djemtë duhej të kishin besuar edhe më shumë të vetja, edhe më parë, por rëndësi ka që tani po ecim mirë. Për sa i preket Kupës së Shqipërisë, dëshira ishte e madhe për të kaluar në katërshe. Me pak kujdes dhe fat, që është shumë i rëndësishëm, mund të shkonim deri në fund, por ndodhi çfarë ndodhi dhe nuk dua t’u kthehem diskutimeve të tilla.

“Penalltia? Që të jem i sinqertë, Gocaj i ka gjuajtur penalltitë gjithmonë te Vllaznia, sa jam unë. Edhe kur erdhi Elis Bakaj, Gocaj ka qenë gjuajtësi i parë, por Gocaj ka pasur pak ndrojtje në ndeshjet kundër Laçit dhe Teutës. Në të ardhmen do të jetë ai që do të vazhdojë t’i gjuajë penalltitë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.