Cungu: Problem për të menaxhuar lojën, Cicmil nuk do të luajë asnjë sekondë më

0
SHPËRNDAJE

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, ka fajësuar mbrojtësin Stefan Cicmil për humbjen e sotme përballë Skënderbeut. Në prononcimin për SuperSport ai e ka cilësuar një futbollist problematik për ngjarje të tilla.

“Eshtë problem për të menaxhuar lojën, nuk është ndeshja e parë që na ndodh. Na ka ndodhur gjatë të gjithë sezonit. Edhe me Partizanin dy herë kemi qenë në avantazh në Shkodër dhe nuk ditëm ta ruanim. Ka ndodhur disa herë.

Nuk dimë ta mbajmë rezultatin, nuk dimë të menaxhojmë veten, e shihni vetë deri në minutën e fundit kishim mundësinë për të fituar faulle dhe goditje dënimi, ne duam të bëjmë gjëra të bukura, t’i kalojmë topin mbi kokë kundërshtarit, të bëjmë cirk me pak fjalë. Këto janë probleme që na dërgojnë te mosmarrja e pikëve, kjo është pjesë e gjynaheve tona.

Ndërkohë që gjynahet nuk janë vetëm me lojtarët në fushë, janë shumë gjynahe të tjera. Ka gjithë sezoni me gjynahe”.

“Në fakt, Cicmil nuk është hera e parë që bën gabime të tilla, prandaj edhe unë kam marrë një vendim bashke me portierin Agoviç për të mos i aktivizuar te Vllaznia. Sot ishim me shumë mungesa, për lojtarë me kartonë, kishim Krymi jo në gjendje të mirë, Bakaj me temperaturë dhe nuk ishte i pranishëm në stërvitje. Pothuajse 7-8 lojtarë nuk ishin prezent, edhe në pankinë kishim lojtarë mangët për protokollin.

Nuk kisha asnjë alternativë tjetër, thashë t’ia jap një mundësi, duke shpresuar, por përfundimisht e ka dërguar dëm, për mua nuk ka arsye të jetë më pjesë e Vllaznisë. Nuk është hera e parë, Vllaznia ka lënë shumë pikë në këtë mënyrë, nga këto të papërgjegjshëm.

Nuk është mirë kjo që them, se tingëllon keq meqë nuk është shqiptar, por nuk mund të bëhen gafa të tilla. Ka marrë kartona të kuq vjet, edhe këtë vit, ka shkaktuar penallti. Nuk mund të flas më tepër. Me kaq shumë gabime, nuk mund të jetë më pjesë e klubit”.

“Nuk kishim kontingjentin e duhur. Tafili kishte shqetësim muskulor dhe mendova të mos rrezikoja se në ndeshjen e jetës do ta kishim të mërkurën me Luftëtarin. Thashë t’u jepja minuta të tjerëve të cilët kanë mundësinë dhe të drejtën për të kontribuar. Edhe Bakaj kishte 4 ditë temperaturë, edhe Shtubina. U detyrova për të mos i futur. Edhe aktivizimin e mesfushorit Bakaj e përdora si stërvitje, por kjo ishte situata”.

“Eshtë papërgjegjshmëri totale. Jam trajner dhe gjykoj me atë që shoh në ndeshje dhe seanca stërvitore. Për pjesë të tjera nuk kam fakte, nuk akuzoj. Duhet të kesh fakte për të akuzuar. Unë sillem si profesionist për këtë rol.

Fakti që nuk kanë luajtur prej muajsh do të thotë që nuk kam besuar te serioziteti i tyre, sot isha i detyruar. Imagjinoni edhe mbrojtësin Mulemo e kapi ngërçi dhe nuk kishim lojtar tjetër. Kjo ishte rastësia pse luajti Cicmil, se nuk do të luante asnjë sekondë, si nga janari dhe këndej”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU