Cungu: Teuta nuk bën përjashtim, luajmë për ta mundur!

0
SHPËRNDAJE

Pavarësisht ndonjë problem, që skuadra ka me mungesën e ndonjë futbollisti, objektivi i Vllaznisë për ndeshjen e radhës, me Teutën, nuk ndryshon: vetëm fitorja. I këtij mendimi është trajneri Armando Cungu në konferencën e sotme për shtyp, në pragndeshjen me durrsakët, duke kërkuar maksimumin nga çdo futbollist, që do të jetë në fushën e lojës.

“Kemi pasur disa probleme ditët e fundit, si me mbrojtësin Pjeshka, mesfushorët Tafili dhe Bardulla, por ato po shkojnë drejt rikuperimit dhe shpresojmë t’i kemi në fushë ndaj Teutës. Po ashtu, siç dihet, për arsye dëmtimesh do të na mungojnë Cicmil dhe Marku, por ky nuk është justifikim.

Ata që do të luajnë, duhet të japin më të mirën dhe të marrim fitoren e shumëpritur për ne. Objektivi ka qenë gjithnjë fitorja e çdo ndeshjeje dhe nga kjo nuk bën përjashtim as Teuta.

Uroj dhe shpresoj shumë që këtë objektiv ta bëjmë realitet, të marrim këtë trepikëshin, i cili do të na bënte shumë punë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse nëse sot jemi disi të qetë në renditje, një gabim do të na kushtonte shumë.

Kam besim te skuadra që stërvis, se do të jetë shumë serioze deri në fund të kampionatit.”

I shfaqur në konferencën e sotme për shtyp përkrah portierit Selimaj, Cungu është ngacmuar, duke i thënë se, përderisa duhet fituar me Teutën, më mirë do të kishte qenë që përkrah të kishte një sulmues, por numri një i pankinës shkodrane ka një mendim ndryshe.

“Patjetër që portieri Selimaj është një pikë shumë e rëndësishme e skuadrës. Për më tepër që Selimaj, në këto ndeshjet e fundit, kur është aktivizuar, ka dhënë kontributin e tij maksimal për skuadrën, që ajo të arrijë këto rezultate pozitive.

Për të arritur një rezultat të mirë, përgjegjësi kanë të gjithë, duke filluar nga unë, portieri dhe me radhë, të gjithë. Nëse nuk funksionojmë si grup, do të jetë shumë e vështirë për ne, ndaj çdolloj kundërshtari.

Jam shumë i kënaqur me paraqitjet e portierit Selimaj. Eshtë një djalë serioz, që ka punuar me përkushtim gjatë gjithë periudhës, edhe kur nuk ka luajtur.

Ka arritur të punojë me shumë seriozitet dhe ta fitojë vendin e titullarit. Shpresojmë që të vazhdojë kështu”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.