Daja: Jemi të “gjymtuar” por do japim maksimumin, krenar që drejtoj Skënderbeun

0
SHPËRNDAJE
loading...

Në konferencën e fundit për shtyp të këtij sezoni të Skënderbeut në prag të ndeshjes me Partizanin trajneri Ilir Daja ka deklaruar se pavarësisht dëmtimeve ekipi do bëjë maksimumin për ta mbyllur sezonin me nder.

“Ndeshja e fundit e kampionatit me Partizanin na gjen të “gjymtuar” në dy drejtime qoftë psikologjikisht pas ndeshjes së fundit që ishte një ndeshje për titull. Së dyti për mungesat që janë shumë të rëndësishme por me lojtarët që kemi në dispozicion do të bëjmë maksimumin që ta mbyllim më së miri kampionatin, pavarësisht se Partizani është i vështirë dhe nuk ka problemet tona.” – kështu e filloi trajneri i Skënderbeut Ilir Daja konferencën e fundit sezonale para ndeshjes me Partizanin ndërsa më pas u ndal edhe tek dënimet e Disiplinës dhe finalja e Kupës së Shqipërisë.

– Profesor Daja, çfarë po ndodh kështu, gjyqtari Jorgji iu bëri “gjëmën”, Disiplina iu sakatoi. Presim akoma?

Unë personalisht jam krenar që drejtoj ekipin e Skënderbeut, kam një grup lojtarësh shumë të mirë që kanë shpirt skuadre dhe mentalitet fituesi. Ne kemi bërë një kampionat shumë të mirë pavarësisht se nuk na lanë që të shkonim drejt objektivit madhor pasi të gjithë e panë se Skënderbeu duhet të merrte shumë më tepër. Situata për momentin nuk është e mirë por këtu duket edhe mendësia e ekipit të madh që do të dijë të japë maksimumin për dy ndeshjet e mbetura. Mendoj që të gjithë duhet të jenë krenar për këtë ekip që luftoi deri në fund pavarësisht se nuk i lanë të fitonin. Jemi krenarë që përfaqësojmë një qytet si Korça dhe një ekip si Skënderbeu.

– Duke përjashtuar mbrojtësin Osmani dhe sulmuesin Salihi lojtarët e tjerë do të jenë të gatshëm për Tiranën?

Të dy lojtarët, si mbrojtësi Mici dhe mesfushori Latifi po marrin trajtim jashtë vendit dhe besoj se do të jenë gati për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë. Ndërkohë që me mungesën e mbrojtësit Osmani dhe sulmuesit Salihi nuk jemi të kompletuar dhe nuk kemi forcën maksimale. Ndërkohë që në finale do të fitojmë edhe për ta.

– Do të ndryshojë formacioni pas këtyre mungesave?

Nëse flasim për ndeshjen ndaj Partizanit sot do të kemi shumë spostime për të plotësuar mungesat që kemi.

– Kjo ndeshje kundër Partizanit shërben më shumë për finale?

Jo nuk besoj kështu. Normalisht që i shërben edhe takimit të së mërkurës. Ndërkohë që ne do të vlerësojmë më shumë ndeshjen e sotme. Në finale e Kupës së Shqipërisë na rikthehen edhe tre lojtarë të tjerë.

– Nëse nuk fitojmë dot as Kupën e Shqipërisë pas kampionatit do të ishte dështim për të gjithë, edhe për ju si trajner?

Unë do të thoja që përveç se nuk kemi marrë titullin të gjithë jemi krenarë për ekipin e tyre. Kam lexuar dhe në faqen zyrtare të klubit komentet e tifozëve dhe kam parë një mbështetje të madhe prej tyre dhe mbi të gjitha krenari për përformancën e ekipit. Prandaj nuk do e përdorja fjalën dështim pasi në drejtimin tim ekipi ka marrë 80% të pikëve. Që do të thotë se ne e kemi bërë mirë punën. Në fazën e fundit kemi zhvilluar një kampionat shumë të mirë pavarësisht transfertave të shumta që kishim. Bëmë gjithçka mirë deri tek ajo pjesë e shëmtuar që u bë në Kukës. Kështu që të gjithë besoj se ndjehen krenarë për atë që kemi prodhuar.

– Trajneri Daja do të vijojë të jetë pjesë e këtij ekipi edhe në të ardhmen?

Përderisa kam edhe një vit kontratë nuk kam pse të ulem në diskutime pasi natyrshëm kam bërë një punë të mirë dhe unë personalisht jam nga ata trajnerë që nëse do e shikoja veten fajtor në këtë mosrealizim, e kam kurajon të largohem. Me presidentin Takaj do të flasim për vazhdimësinë për të bërë analizën, na pret edhe Europa Ligë.

– Po Skënderbeu i sezonit të ri…

Për të gjithë ata elementë mendoj se grupi nuk duhet rikompozuar i gjithi. Baza e ekipit është prezente me shumë lojtarë që kanë dhënë dhe mund të japin maksimumin për këtë fanelë. Natyrshëm që ky ekip do të ketë elementët kryesorë, përjashto faktin kur disa lojtarë do të kërkohen nga ekipet e tjera në kampionate jashtë Shqipërië. Natyrshëm që brenda një grupi do të ketë largime, largime lojtarësh që nuk janë përshtatur me filozofinë e grupit. Ndërkohë që pjesa më e madhe e lojtarëve që mbyllën këtë sezon do të jetë themeli i Skënderbeut të ri.

/minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.