De Biasi lexon i përlotur letrën e dorëheqjes: Asgjë nuk e shkëput lidhjen time me kombin tonë!

0
SHPËRNDAJE
loading...

Trajneri Gianni De Biasi ka dhënë sot dorëheqjen nga drejtimi i Kombëtares shqiptare të futbollit. Pas njoftimit të djeshëm se nuk do të rinovonte kontratën në fund të edicionit, sot italiani ka dalë në një konferencë për shtyp bashkë me presidentin e FSHF, Armando Duka, duke bërë me dije mbylljen e bashkëpunimit që në këtë moment.

Letra e dorëheqjes

“Kjo është një faqe e përvojës time profesionale në Shqipëri që kurrë nuk do kisha dashur ta shkruaja!

Kam menduar dhe medituar gjatë dhe dëshiroj t’iu informoj se duke nisur nga sot nuk do të jem më trajneri i Kombëtares sonë!

Do të ndalem këtu sepse dëshiroj të mendoj për të mirën dhe rritjen e ekipit.

Besoj se e kam përmbushur detyrën time, e cila më ka lejuar mua për të nxjerrë nga këta djem ato cilësi që në të kaluarën e afërt kanë bërë të mundur të jetojmë endrrën Europiane!

Atë ëndërr e cila që në ndeshjen e parë në Gjeorgji, nëpërmjet asaj letre të hapur kisha kërkuar të ngulitja në kokën e tyre dhe në zemrën e tyre!

Eshtë një zgjedhje profesionale shumë luftarake, e vështirë! Uroj që të arrini ta kuptoni, edhe pse jo të gjithë mund ta pranojnë! Kemi jetuar vite të mbushura plot emocione dhe kënaqësish dhe kemi arritur rezultate me të vërtetë të rëndësishme që shumë i konsideronin të pamundura.

Gjatë gjithë kësaj kohe kam punuar gjithmonë me pasion të madh, me një entuziazëm të ri falë edhe rezultateve dhe euforisë ngjitëse dhe të gjithë shqiptarëve, në atdhe dhe atyre të shpërndarë nëpër botë!

Impenjimi i përditshëm, përpjekja për t’iu transferuar djemve një mentalitet të ri, një mentalitet fitues!

Angazhimi i vazhdueshëm së bashku me gazetarët tuaj, i mediave për t’iu kaluar një komunikim korrekt, transparent, proaktiv ka qenë një punë e detajuar me të vërtetë vazhdimisht e mundimshme, nganjëherë dhe e bezdisshme!

Dëshiroj të theksoj se sot largohem nga udhëheqja e Kombëtares, duke mos patur një ekip në të cilin të punoj, ndërkohë që gjatë këtyre viteve gjithmonë kam rezistuar ndaj tundimeve të ofertave të punës, duke ditur që vendi im ishte në udhëheqjen e djemve tanë drejt një rritje të qëndrueshme në drejtim të realizimit të tyre.

Pas Europianit isha vendosmërisht i bindur që mund të përmirësonim më tej dhe se përvoja që patëm gjatë tre ndeshjeve në Francë, do të na lejonte një rritje të mëtejshme globale.

Edhe kështu do të jetë, por me një trajner të ri!

Po largohem me vështirësi por i vetëdijshëm që cikli im në këtë grup ka përfunduar dhe që mund t’i jap rastin atij që do më zëvëndësojë, të njohë djemtë në katër ndeshjet e ardhshme.

Më lejoni të falënderoj të gjithë ata që bashkëpunuan në rritjen dhe zhvillimin e projektit të Shqipërisë që na ka dërguar të jemi në vendin e 22-të në FIFA, që na ka mundësuar të mundim Norvegjinë jashtë shtëpisë, të fitonim dhe barazonim kundër Francës dhe të fitonim kundër Portugalisë, i mundur pas nesh deri në pushtimin e Euro 2016!

Edhe më në fund për të arritur ëndrrën tonë…

Dëshiroj me këtë rast të falënderoj publikisht ata të cilët më dhanë këtë mundësi të madhe, presidentin Armando Duka, që gjithmonë më ka mbështetur dhe më ka dhënë “Letrën e Bardhë” për të vepruar në rolin tim si trajner!

Një falënderim të përzemërt të gjithë djemve që gjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë pjesë e ekipit, faleminderit për gjithçka që më keni dhënë, që keni dhënë për fanellën tonë!

Eshtë një përvojë që më ka pasuruar si në aspektin profesional ashtu dhe në atë njerëzor, më keni befasuar me përkushtimin tuaj dhe përfshirjen tuaj në sfidën tonë!

Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve të mi, veçanërisht Paolo Tramezzani, shok udhëtimi që nga dita ime e parë në Shqipëri, gjithmonë i gatshëm për të më mbështetur i palodhshëm në punën në terren dhe në shumë udhëtime për të takuar lojtarët tanë të rinj!

Alberto, që ka ndjekur përgatitjen dhe rikuperimin e djemve, Ervin Bulku, Ilir Bozhiqi dhe gjithë stafi teknik! Ben Çeliku, Gianluça Stesina, Filippo i cili ka trajtuar lojtarët së bashku me Ylli Mihali, Merepeza, Arzen Voçi, dhe të madhin Fatos një punëtor i palodhur!

Të gjithë njerëz të çmuar dhe madhështorë ekipi!

Për të gjithë njerëzit që punojnë në FSHF, që nuk dallohen por që bëjnë një punë të vlefshme për rezultatin përfundimtar!

Falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë tifozët tanë të përkryer, lojtari ynë i dymbëdhjetë.

Gjithmonë të gatshëm të na ndiqnin kudo me flamuj dhe me zemër.

Çdo gjë në futboll, në sport, ashtu si në jetë, ka një fillim të tij dhe një fund! Cikli im si trajner i Kombëtares ka përfunduar, por asgjë nuk mund të copëtojë kurrë lidhjen e fortë që më lidh me kombin tonë dhe të shumë njerëzve që në këto pesë vite e gjysëm të bukura pata fatin t’i takoj!

Tani fara është mbjellur në tokë, po rritet dhe me angazhimin, përkujdesjen dhe punën e të gjithëve do të dijë të japë fruta të shkëlqyera!

Mirënjohje, Gianni De Biasi!”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU