De Biazi: Kaçe është në një situatë nga e cila duhet të dalë me këmbët e veta

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Intervistoi: Mentor Nazarko

M.N: Një rast shumë i diskutuar është ai i Kaçes për polemikat që krijoi, por dhe për mungesën e vazhdimësisë në lojën e tij. Çfarë këshillash apo sugjerimesh do të kishit për Kaçen?

D.B: Mendoj se jeta i ka mësuar diçka. Është një djalë që ka talent, një djalë që nuk e ka kuptuar si funksionon futbolli, por besoj se po e kupton tani në kurriz të vet. Në jetë nuk duhet menduar asnjëherë që ke arritur synimet e tua deri në fund, sidomos për dikë të datëlindjes ’93, që sapo ka filluar rrugëtimin e tij. Shpeshherë krijohen iluzione, por unë mendoj se kjo periudhë do t’i vlejë si mësim. Nuk luan më as me një skuadër, as me një tjetër, mbeti aty ku ishte dhe do të rrijë shpesh në stol. Besoj se do t’i shndërrohet në një proces pjekurie.

M.N: A dëgjoheni me të, i keni dhënë këshilla?

D.B: Jo, jo. Unë këshillat ia dhashë kur ishte momenti, më pas nuk harxhoj më energji, sepse tashmë ai duhet t’i kuptojë vetë gjërat.

M.N: Ne e biseduam këtë bashkë dhe privatisht. Është një djalë që ka një situatë psikologjike pak të veçantë. Është ndoshta pak i llastuar…

D.B: Jo, jo, nuk është i llastuar. Është një djalë i jashtëzakonshëm. Shpeshherë mënyra e të shprehurit e çon të komunikojë në mënyrë të gabuar, ndoshta sepse për shkak të gjuhës ka ndonjë vështirësi. Dhe së dyti, sepse është i ri, që ende nuk ka përvojën e dinakërinë që të ruhet nga goditjet që të shmangë një mënyrë të shprehuri të veçantë gjatë intervistave. Besoj se për të kjo do të jetë një periudhë themelore. Unë qëllimisht nuk kam folur me të, nuk e kam marrë në telefon, sepse dua të shoh cili do të jetë reagimi i tij. Është një situatë nga e cila duhet të dalë me këmbët e veta. Në qoftë se vazhdon me agjentin, me shokun, me xhaxhain, me gjyshin, nuk do të mbërrijë askund. Duhet të bëjë një hap përpara dhe duhet ta bëjë me këmbët e tij. Vetëm në këtë mënyrë mund të shndërrohet në një lojtar themelor për ne.

M.N: A do t’i jepni një këshillë, një dorë?

D.B: Akoma?! I kam dhënë një miliard duar, nuk më mbetet veçse t’i jap një këmbë, një shkelm nga prapa…

M.N: Ai kishte një karrierë të rëndësishme përpara me kombëtaren greke. Ju keni ndikuar që ai të vinte të luante për Shqipërinë?

D.B: Jo, këto janë gjërat tuaja, fjalë gazetarësh, të gjitha budallallëqe, si pjesa më e madhe. Puna është se gjërat duhet t’i njohësh para se të flasësh në mënyrë serioze. Shpeshherë flitet “me të dëgjuar”. Unë me Kaçe-n flas drejtpërdrejt, sepse e di si funksionojnë gjërat. Kaçe është një lojtar i mirë, për të cilin unë kam folur me disa skuadra, disa prej të cilave dhe të rëndësishme.

M.N: Pra, fjalët për një kalim të tij tek Interi nuk ishin të vërteta?

D.B: Se mos e ka kërkuar dhe Real Madrid apo Manchester City?

M.N: Jo, por flitej dhe shkruhej dhe në Internet!

D.B: Po, natyrisht, po të lexosh internetin… Interneti është një gjiriz budallallëqesh të vazhdueshme. Duhet të mësojmë dhe si ta lexojmë web-in, sepse nëse dikush zgjohet një ditë e shkruan që Kaçen e ka kërkuar Reali i Madridit, njerëzit e besojnë. Por e beson dhe ai vetë, kjo është dramatike! Do të duhej që të qëndronim me këmbët në tokë. Unë më parë përmenda Realin, Barcelonën e Chelsea-n, sepse e di që janë skuadra që nuk do të më kërkojnë kurrë, ishte për të bërë një batutë. E njëjta gjë vlen dhe për djemtë. Besoj se duhet pak inteligjencë dhe arsyetim për të thënë që këtu kemi një grup lojtarësh të mirë që mund të bëhen të shkëlqyeshëm nëse shndërrohen në një skuadër. Për të qenë një skuadër duhet që gjithkush të sakrifikojë interest e veta personale e t’i vërë në shërbim së skuadrës. Ky është problemi kryesor.

M.N: Ka dhe një çështje tjetër, ajo e Besart Berishës që luan në Australi…

D.B: Eh, lëre të rrijë në Australi!

M.N: Po, por po grumbullohet për Kosovën!

D.B: Lëre të grumbullohet për Kosovën. Për të ardhur në Shqipëri ishtë shumë e gjatë rruga nga Australia! Mësa duket për të shkuar në Kosovë rruga është më e shkurtër, megjithëse është paksa më në veri se ne! Megjithatë s’ka rëndësi. Në fund të fundit ne shkuam në Evropian pa Besart Berishën!

M.N: Dhe pa Rashicën, apo jo?

D.B: S’ka qenë kurrë me ne.

M.N: Nuk ka qenë kurrë, megjithëse u stërvit në Austri?

D.B: Rashica nuk ka qenë kurrë me ne! Ishte me ne, sepse ishte një lojtar që mund të përzgjidhej nëse më mbushte mendjen mua, nëse ishte më i mirë se lojtarët që na çuan deri në Francë. Unë këtë superioritet të tijin nuk e pashë, aq është e vërtetë saqë është në stol dhe tek ekipi në kampionatin e tij.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.