De Biazi: Vazhdoj të jem me pushime. Panuçit do i jap disa këshilla

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Gianni De Biasi

Kombëtarja / U largua nga Shqipëria sepse mendoi që pas kualifikimit historik në Euro 2016 cikli i tij u mbyll. Megjithatë, ashtu siç premtoi, Gianni De Biasi mbetet pranë Kombëtares kuqezi. Gjatë prezantimit te Shqipëria, Christian Panuçi e falënderoi ish-trajnerin për fjalët e mira të thëna kur presidenti Duka po shqyrtonte kandidatët, ndërsa De Biasi zbulon atë që e bindi kreun e FSHF-së.

“Të sqarojmë diçka. Nuk i këshillova askënd presidentit, por ai më tha që takoi disa trajnerë. Më tha që prej herës së parë kur u takua me Christian, ai i kishte lënë menjëherë përshtypje.”

Edhe pse është e pamundur të vlerësosh menjëherë nëse Panuçi ka qenë zgjedhja e duhur, De Biasi është optimist për eksperiencën e jashtëzakonshme të teknikut të ri.

“Përpos futbollit, presidenti ka një eksperiencë të madhe dhe di ti vlerësojë njerëzit me mjaft kujdes. Nëse zgjodhi Christian, ka parë tek ai cilësi përsa i takon menaxhimit të grupit, të situatave por edhe të eksperiencave që ka pasur në karrierë.”

Me ndërtimin e një skuadre cilësore dhe kualifikimin historik në Kampionatin Europian, Gianni De Biasi la një trashëgimni të rëndësishme te Kombëtarja. Koha do të tregojë nëse pesha e arritjeve do të ndikojë te Panuçi, apo nëse rezultatet fantastike do të përsëriten menjëherë.

“Personalisht uroj që Panuçi ta kualifikojë Shqipërinë në Europianin 2020. Ka dëshirë dhe besoj që ka një grup lojtarësh të nivelit të mirë. Mendoj se do të jetë në gjendje ta menaxhojë me qetësinë e nevojshme.”

De Biasi ka një këshillë publike për trajnerin e ri, ndërsa deklaroi se pas bisedës paraprake, së shpejti do të takohet me Panuçin për të diskutuar rreth Kombëtares.

“Christian është një person inteligjent. Ka nisur menjëherë të njihet me lojtarët, duke vëzhguar shumë ndeshje të tonat. Do të vijë të më takojë, që të diskutojmë.”

Aktualisht me pushime me familjen e tij, De Biasi po shqyrton edhe mundësitë për të ardhmen. Ish-tekniku kuqezi është një prej tre kandidatëve për stolin e Australisë. Ndërkohë, negociatat me skuadra në Japoni dhe Kinë nuk kanë qenë me fat. Ashtu si i ndodhi në 2011-ën me Granadan në Spanjë, ku sapo ishte pranë emërimit ekipi fitoi ndaj Barcelonës dhe marrëveshja nuk u realizua. Edhe tani, ekipet që ishin alternativa, befas janë rikthyer te rezultatet pozitive.

“Këto ditë po bëj disa ditë pushime. U largova nga Shqipëria, pa pasur një skuadër konkrete në horizont. Pak ditë më parë u takova me përfaqësuesen e Australisë dhe vendimi merret pas Shtatorit. Kam pasur disa biseda të tjera, por ndërsa skuadrat paraqiten mirë, unë vazhdoj të jem me pushime.”

S'KA KOMENTE

Comments are closed.