Debati me Levin, pezullohet Luan Birçe

0
SHPËRNDAJE

Superiorja/ Flamurtari ka mbetur prej ditësh pa trajner portierësh. Një debat mes Luan Birçes dhe Stanislav Levit ka sjellë edhe pezullimin e përgatitësit të portierëve nga detyra. Duket se shkaku ka qenë mjaft banal, pasi trajneri i ka thënë përgatitësit të portierëve të mos dilte në stërvitje me bluzën që kishte veshur, e cila ishte më e vogël sesa duhet.

Luan Birçe
Luan Birçe

“Panorama Sport” ka arritur të zbulojë, nëpërmjet burimeve pranë klubit vlonjat, të vërtetën mbi masën e marrë ndaj Birçes. Mësohet se çeku i ka komunikuar Birçes, me ndërmjetësinë e drejtorit teknik Ardi Ciruna, se me atë uniformë aspak të rregullt nuk mund të dilte në fushë. Por kjo vërejtje e Levit nuk është pritur aspak mirë nga Birçe. Ky i fundit nuk e ka pëlqyer këtë “urdhër” të Levit. Mësohet se ka qenë trajneri Levi ai që më pas është ankuar te drejtuesit për trajnerin e portierëve, gjë që ka sjellë edhe reagimin e klubit, duke marrë masën e pezullimit.

Rikthimi
Burime pranë klubit të Flamurtarit bëjnë me dije për gazetën se përgatitësi do të rikthehet në ditët në vazhdim, po në të njëjtën detyre. Gjatë kësaj kohe, drejtuesit i kanë kërkuar Birçes kthimin me anë të disa drejtuesve të tjerë në klub, madje edhe nëpërmjet lojtarëve, por trajneri i portierëve duket se ka mbetur i ofenduar nga Levi. Pritet tashmë vetëm një takim mes tij dhe administratorit Idrizi që të vendoset një herë e mirë se çfarë do të ndodhë me të. Sakaq, në mungesë të Birçes, Levi është detyruar që t’i stërvitë vetë edhe portierët.

Disiplina
Rasti me trajnerin e portierëve duket se flet për disiplinën e hekurt që po aplikon Stanislav Levi në Vlorë. Për t’u theksuar është fakti se çeku ka qartësuar një sërë detyrash dhe rregullash, që lojtarët duhet të respektojnë. Por, nga kjo rregullore, nuk mund të bëjnë përjashtim as anëtarët e tjerë të stafit teknik. Uniforma të njëjta, stërvitje me dyer të mbyllura, madje nuk lejohen në disa raste as përfaqësues të klubit, nuk lejohen diskutime të tjera mes lojtarëve dhe stafit teknik, përveç atyre që kanë të bëjnë me punën. Po ashtu, lojtarët kanë edhe të tjera detyra që duhet të zbatojnë, që lidhen me regjimin e rreptë jashtë fushës, duke filluar nga jeta e natës, që duhet të shmanget, si edhe dieta ushqimore.

Apeli
Në një kohë që drejtuesit e klubit vlonjat vlerësojnë regjimin e rreptë të Levit, ata i kujtojnë trajnerit që të bëjë edhe lëshime dhe të mendohet se ku ka ardhur. Drejtuesit e klubit e kanë përgëzuar çekun për mënyrën e organizimit të punës në drejtim të disiplinës, por i kanë tërhequr vëmendje për disa ekzagjerime, ndërsa i kanë bërë thirrje që të ulë kokën dhe të punojë.

Burimi: http://www.panorama-sport.com/2015/09/debat-per-veshjen-levi-pezullon-luan-bircen/#ixzz3kmIlVjGD

S'KA KOMENTE

Comments are closed.