Demi: Falenderoj ish presidentin Xhani që nuk na la borxhe . Moxhin e morëm për marketing

0
SHPËRNDAJE

Superiorja / Pas marrjes së presidencës nga Gazmend Demi, Partizani tani ka harruar ato vite ku lëngonte në kategoritë inferiore dhe është rikthyer të jetë sërish një faktor i rëndësishëm i futbollit shqiptar. Klubi i kuq është pranë fitimit të titullit kampion pas 24 vitesh pritje, edhe pse rruga deri aty është mjaft e vështirë.

Ndërkohë, presidenti Gazmend Demi ka rrëfyer gjithçka në një intervistë të dhënë për gazetën “Sport Ekspres”, ku ka folur qysh nga momenti ku ai ka marrë në dorëzim klubin e Partizanit nga ish – presidenti Albert Xhani dhe deri tani si edhe planet për të ardhmen.

Marrja e Partizanit nga Albert Xhani
Vite më parë kam pasur një raport shumë miqësor me ish-presidentin e Partizanit, Albert Xhani. Ndjej keqardhje për mënyrën se si i shkuan gjërat me klubin. Nuk ka pasur shumë fat e në ndonjë rast e ka ekzagjeruar me mënyrën se si ka vepruar. Megjithatë, kam respekt për mënyrën se si ai e dorëzoi Partizanin. Diçka ka për atë që thoni ju, megjithatë dhe vetë kisha një lloj tundimi ta provoja veten në këtë lloj biznesi. Sigurisht që nuk jam penduar.

Klubi nuk kishte borxhe të mëdha
Kur unë e mora Partizanin dhe u bëra pronar i 100% të aksioneve, klubi nuk kishte borxhe. Gjëra të vogla, krejtësisht të papërfillshme. 99% për qind e lojtarëve ishin paguar, ose të paktën ishin evituar paditë nëpër gjyqe. Kjo ishte shumë e rëndësishme. Unë po e shoh çfarë po ndodh me Tiranën, për shembull, ku e shkuara e ka vënë administrimin e klubit në vështirësi. Kështu që për këtë gjë Xhani duhet përgëzuar. Skuadra vërtet kishte rënë dy kategori më poshtë, por të paktën nuk kishte borxhe nga e shkuara.
Objektivat që Gazmend Demi kishte kur mori Partizanin
Shiko, fillimisht kisha një plan tjetër. Nuk doja të futesha “me kokë”. Objektiv kryesor ishte gjetja e një mundësie për ndërtimin e kompleksit. Mora vetëm stemën, nuk kishim as fushë stërvitjeje, as hotel, as stadium. Nuk kishim asgjë. Derisa të gjeja mënyrën të bëja këtë investim mendoja të mbaja një skuadër normale, të qëndronim në kategori ose të luanim për kupat e Europës. Por më pas filluam të bëjmë mirë dhe pata dhe unë një lloj entuziazmi. Sidomos euforia që krijohej nga ndeshjet derbi më bindën që dhe mund të bënim skuadër të mirë, me lojtarë të paguar.

Ende asnjë trofe i fituar
Tre sezone kemi. Kemi qenë aty pranë gjithnjë. Vitin e shkuar e humbëm titullin javën e fundit, këtë vit shpresoj ta fitojmë. Megjithatë, titulli im i vërtetë është përfundimi i kompleksit.

Marrëveshja për kompleksin e kuq
Morëm vetëm përdorimin e tokës me një qira 99-vjeçare, me 1 euro metrin katrorë. Nuk kemi marrë fonde, do e ndërtojmë me paratë e shoqërisë aksionere.

Projekti
Disa fusha stërvitore me bar natyral dhe artificial, një hotel me 50 dhoma, një rezidencë me zyra, hapësirë e madhe për parkim të paktën për 300 vende, dhe një stadium 4 mijë vendesh ku ne të luajmë ndeshjet shtëpiake.

Punimet janë ende në gjysmë
Janë ngritur si karabina. Mendoj se 50% e punimeve janë drejt përfundimit. Stadiumi sigurisht do ketë nevojë për pak më shumë kohë, sepse realisht do jetë më pas dhe arredimi i plotë, fushat, tribunat, ndriçimi.

Stadiumi jo gati për sezonin e ardhshëm
Po mendojmë që në dhjetor skuadra të fillojë stërvitjen atje, më pas për stadiumin do flasim gjatë vitit të ardhshëm. Në shtator kur të nisë sezoni, të jem i sinqertë, nuk do jetë gati.

Investim kolosal
Nuk mund t’ua them dot me garanci. Por imagjinoni, vetëm fushat stërvitore dhe fusha e stadiumit, shkojnë 850 mijë euro. Më pas stadiumi nuk di të them sa shkon, por shpresoj që gjithë kompleksi të mbyllet me 4-5 milionë euro.

Ndeshjet e mëdha në “Arenën Kombëtare”
Në Tiranë do ndërtohet dhe stadiumi kombëtar. Ndeshjet ku kërkesa është më e lartë do luhen atje. Kërkesë-ofertë është e gjitha kjo. E rëndësishme është të kemi një shtëpi tonën, sepse kështu po vuajmë shumë dhe kemi shumë shpenzime me hotelerinë, udhëtimet, stërvitjet.

Skuadra me kushte maksimale
I kemi vënë një hotel në dispozicion, restorant, paguajmë fushat e stërvitjes. Besoj se kemi bërë një punë të mirë në këtë drejtim. Kemi ngritur zyrat tona dhe ndoshta kemi administratën e klubeve nga më të mirat në Shqipëri.

Shpenzimet e klubit në një vit
“Duke qenë se nuk kemi as stadium, i kemi shumë më të larta se klubet e tjera. Vetëm akomodim, ushqim, administratë, stërvitje, udhëtime, fondi i tifozëve etj shkon rreth 200 mijë euro në vit. Sidomos në muajt që luajtëm në Elbasan e ndjemë këtë shpenzim.

Të ardhurat nga tifozët
Jo, aq sa njerëzit mendojnë. Tregu ky është, nëse mendoni që klubi do mbahet nga tifozët të gjithë gabojnë. Ata duhen mbi të gjitha për atmosferë, sepse fundi për ata luhet futboll, po nuk është se ata sjellin aq shumë. Numri nuk është shumë i madh dhe bileta ka çmim të ulët. Megjithatë, nuk qahemi. Ja, për shembull, në ndeshjen kundër Vllaznisë luajtëm pas disa muajsh në Tiranë. Ju patë një stadium relativisht të mbushur, por nga raporti shpenzime-të ardhura atë ditë humbën rreth 1.9 milionë lekë të vjetra. Sigurisht, shumë më mirë se në Elbasan ku humbnim gati 5-6 milionë për ndeshje. 5 milionë lekë paguan për stadium dhe 3.1 milionë lekë u bënë nga biletat.

I kënaqur nga tifozët
Në përgjithësi po. Klubi bën shumë për ta, udhëtimet, koreografitë, shpesh ulim çmimet e biletave. Por edhe ata kanë ardhur, na kanë mbështetur sidomos në ndeshjet derbi.

Fitimet më të mëdha në derbi
Jo keq. Këtë radhë nga derbi me Tiranën, pasi bëmë gjithë pagesat, në fund fituam 19 milionë lekë të vjetra. Megjithatë, më duhet të insistoj se investimet dhe shpenzimet janë të mëdha dhe nuk mund të konceptohet dot në Shqipëri që të mbahet klubi me këto para.

Shpërblimi nga UEFA
Po sezonin e shkuar dolëm aty-aty financiarisht, sepse kishim 2 vite që dilnim me humbje. Kjo është gjë shumë e mirë, por mos harrojmë që morëm pjesën në Champions dhe kaluam tur, sepse në të kundërt nuk do arrihej kjo gjë. Megjithatë, dalëngadalë do i rritim të ardhurat tona.

Mundësitë për shitjen e lojtarëve në tregun e huaj
Kishim oferta këtë janar, por i bllokova unë, sepse mendova që mund të dalim kampion. Normalisht në verë do shesim dhe lojtarë.

Akademia
Akademia do ketë një tjetër organizim me ndërtimin e kompleksit, do jenë rreth 1 mijë fëmijë që do t1% stërviten atje. Për momentin e kam lënë si strukturë më vete, me vetadministrim. Pa fusha dhe pa kompleks s’mund të kërkoj shumë për akademinë.

Afrimi i Moxhit
Është bërë një marketing i mirë në lidhje me ne. Shumë media të huaja kanë shkruar. Deri nga Zanzibari më kanë dërguar SMS.

Roli i Moxhit
Do na ndihmojë më shumë nëse shkojmë larg në kupat e Europës. Me nuhatjen dhe njohjen që ka, mund të na ndihmojë në shitjen e lojtarëve.

E ardhmja e Ekuban
Kam dëshirë ta mbaj dhe një vit tjetër te Partizani, jam duke diskutuar në lidhje me këtë gjë.

Asnjë trofe i fituar
Nuk jam i fiksuar pas kësaj gjëje. Sigurisht, skuadra duhet të luajë futboll deri në minutat e fundit dhe ta provojë, por nuk është kusht i imi personal një gjë e tillë. Titulli im është kompleksi dhe rritja e vlerës së klubit.

Sponsorat
Kemi tentuar, madje dy vjet më parë kishim një kompani të madhe që na sponsorizonte. Edhe tani kemi disa sponsorë, megjithatë e thashë, pa ndërtuar kompleksin është e vështirë të bëjmë marketing. Ka të interesuar, por duhet të përfundojmë së qeni klub që të afrohen, le të themi, “peshqit e mëdhenj”.

Si funksionon Partizani
Vendimet e mëdha i marr unë, le të themi buxhetet, politikat e klubit, objektivat. Në natyrë e kam t’i hyj çdo gjëje për ta fituar dhe kështu kam bërë. Më pas për gjërat teknike, lojtarë, merkato, formacion, etj., ju e dini që nuk merrem fare, është Starova me bashkëpunëtorët që merren me këto gjëra.

Pretendimet e së ardhmes
E përsëris, ky klub, ky lloj biznesi do të marrë formë të plotë pasi të përfundojë kompleksi. Aty më pas do merremi seriozisht me akademinë dhe marketingun. Besoj do ia rritim shumë vlerën klubit, sepse pa asete është e vështirë të operosh në këtë drejtim. Kjo nuk ka të bëjë me rezultatet teknike, skuadra është e detyruar të bëjë mirë, ndërkohë që unë do merrem gjithnjë e më shumë që të bëhemi klub europian dhe të kemi sa më shumë bashkëpunime me kompani të huaja.

Marrë nga “Sport Ekspres”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU