Demi: Kukësi ndeshja e radhës, i kemi bërë favor FSHF me gjyqtarët e huaj

0
SHPËRNDAJE

Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, e cilëson si një nder që i ka bërë FSHF duke kërkuar gjyqtarë të huaj për ndeshjen ndaj Kukësit. Në fjalët e tij për “SuperSport”, ai theksoi se kjo situatë zgjidhte telashin e presidentit Armando Duka, i cili kishte deklaruar që në futbollin shqiptar kishte gjyqtarë të korruptuar.

Si e prisni ndeshjen ndaj Kukësit?

Ndeshjen me Kukësin e pres mjaft i qetë, mendoj se është një ndeshje e radhës, do të ballafaqohen 2 prej 3 skuadrave pretendente për titull, por ne dhe Kukësi në këtë moment jemi me pikë të barabarta, besoj se do të jetë një ndeshje interesante.

A keni biseduar me stafin teknik dhe lojtarët përpara kësaj ndeshje?

Patjetër që jam në komunikim të vazhdueshëm me stafin teknik dhe lojtarët, është një atmosferë mjaft e mirë në ekip mendoj që do të triumfojmë në këtë ndeshje.

Ku mendoni se skuadra e juaj është më e fortë se Kukësi?

Përsa i përket pjesës teknike nuk mund të jap shpjegim të saktë, por personalisht mendoj se kemi një grup të fortë lojtarësh nga portieri Hoxha dhe deri tek Ekuban. Ndërkohë që për mua më e rëndësishme është grupi se individë të veçantë.

Tashmë është viti i 3-të që Partizani synon titullin, si e shikon çështjen e titullit në Shqipëri Presidenti Demi?

Klubi Partizani që në momentin që është ringjitur në Kategorinë Superiore ka synuar titullin, vjet ishim mjaft afër, por fati nuk ishte me ne për ta fituar titullin. Bëmë shumë gabime me skuadrat të ashtuquajtura të vogla. Mendoj se këtë vit është edhe më i bukur kampionati, pasi janë 3 skuadra në luftë për trofeun, me Skënderbeun që ka një eksperiencë të madhe, Kukësi po ashtu edhe ne Partizani, prandaj lufta do të jetë deri në javën e fundit. Këtë vit kampionatin e shoh më të ngjeshur, pasi përveç Korabit që tashmë është konfirmuar si skuadra e parë që do të zbresë një Kategorimë poshtë, lufta në skuadrat e tjera bëhet jo vetëm për të siguruar mbijetesën, por edhe për të synuar vendin e 4-rt, pasi janë në lojë edhe 15 pikë.

Kërkesa juaj për gjyqtarë të huaj është miratuar, përse e kërkuat këtë?

Opinionet e fundit në lidhje me gjykimet, por edhe vetë fjalët e presidentit Armando Duka, i cili i përforcoi këto opinione se ka edhe gjyqtarë të korruptuar, menduam të kërkojmë gjyqtarë të huaj. Ky është edhe një favor që ne i kemi bërë FSHF, për ta qetësuar edhe Institucionin e Futbollit që në fund të mos dëgjojmë barcaleta. Mendojmë që të huajt do të jenë më korrekt. Pavarësisht se edhe ata njerëz janë dhe mund të bëjnë gabime, por mendoj se të dy klubet me këtë zgjedhje do të jenë më të qetë.

Si është raporti juaj me presidentin e Kukësit z. Safet Gjici?

Raporti im me presidentin e Kukësit Gjici është shumë i mirë, marrëdhënie kolegësh. Edhe Gjici ka bërë një punë shumë të mirë te Kukësi me investime, pastaj në fushë nuk ka punë raportesh, secili është me skuadrën e vet. E uroj Safetin për nismën që do të kandidojë për deputet, kështu që ai tashmë ka 2 kunguj nën një sqetull lufton edhe për kampionatin edhe për postin e deputetit.

Së fundmi, flitet që trajneri Sulejman Starova në fund të kampionatit mund të largohet nga posti i trajnerit. A është e vërtet që Starova do të kandidojë për postin e presidentit të FSHF?

E para: Presidenti i FSHF nuk mund të kandidohet me emra, por me platforma.
E dyta: Nuk e di nëse Starova ka një platformë apo jo, nuk mund të jap përgjigje për këtë, por mesa kam informacion di që më përpara Starova ka qenë pjesë e FSHF.
Përsa i përket Partizanit të gjithë e dini që unë me trajnerin Starova kemi bërë një marrëveshje burrash, Starova do të dalë në pension me mua personalisht dhe me Partizanin. Rolin e trajnerit e ka ai vetë në dorë, nëse do të qëndrojë apo të largohet. Ju e dini se njëkohësisht Starova është edhe këshilltari im kryesor. Tani që është afruar edhe Moggi ata do të jenë të dy përkrah meje, gjithmonë nëse Starova do të kërkojë të mos ushtrojë më profesionin e trajnerit. Megjithatë unë e shoh trajnerin Starova fizikisht të fortë dhe ndoshta nuk ka pse ta lë Partizanin në një moment për më tepër që mund ta nxjerrë kampion, prandaj vazhdimësia e tij në drejtimin e skuadrës do të varet nga dëshira e tij.

/minuta90.com/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU