Demi: Nuk jam i kënaqur me vendin e dytë, ndeshja Partizani-Skënderbeu pa tifozë

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, i ftuar mbrëmë në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH HD, u tregua i palëkundur në pozicionin e tij ndaj FSHF. Madje, për të mbështetur vendimet e komisioneve të FSHF, ai tha se nuk do të paguajë që të kthejë tifozët ndaj Skënderbeut, në mënyrë që atë takim pa tifozë ta shijojnë televizionet dhe FSHF.

Demi tha se ndeshjen ndaj korçarëve do ta shikojë nga televizioni në Hong Kong.

Jeni i kënaqur me pozicionin në renditje? 

Nuk jam i kënaqur me vendin e dytë, pasi kemi qenë edhe vjet në këtë pozicion. Shpresojmë që vendin e parë ta arrijmë shpejt.

Skënderbeu-Kukësi?

Pak më intereson kjo ndeshje. Mendoj se Kukësi do ta ketë të vështirë, mendoj se verilindorët do të kenë humbjen e parë. Mendimi im, kjo për të mos iu shmangur pyetjes.

Loja e skuadrës?

Nga viti në vit, ka filluar të më pëlqejë më shumë. Nuk është ajo skuadër që unë nuk kam dëshirë të jetë. Stafi po punon mirë. Besoj se, nga java në javë, do të bëjmë edhe më mirë.

Rikthimi i mesfushorit Mentor Mazrekaj?

Rikthimi i tij është një blerje shumë e mirë. Ka mentalitet. Akoma nuk ka ardhur në 100 % e tij. Shpresojmë që të afrohet sa më shumë edhe me grupin dhe të arrijë në maksimumin e tij.

Ndeshja ndaj Flamurtarit?

Nuk kisha frikë se na barazonin, por Flamurtari na vendosi në vështirësi dhe pas dëmtimit të sulmuesit Agustin Torassa trajneri Starova futi një mbrojtës siç është Renaldo Kalari, por ai e di më mirë atë punë. Futbollistët tanë neglizhuan disi pasi shkuam 2-0. Fati ishte me ne.

Kompleksi?

Ky është titull për mua. Tifozët duan titullin. Punimet po ecin mirë, jemi në mes të tyre, pasi po ndërtohet një kompleks shumë i madh. Po punohet pothuajse 14 orë në ditë. Sezonin e ri shpresojmë që ta nisim në shtëpinë tonë.

Fondi i FSHF?

Më është dukur shumë banale kjo shifër prej 150 mijë euro në kompleks dhe nuk jemi interesuar fare. Votën time në bord kundër për këtë shumë. E dua bashkëpunimin, por jo me cinizëm. Në 4 vjet, ne si Partizan nuk kemi marrë asgjë nga FSHF. Për investimin që bëjmë ne nuk shkon kjo shumë, pasi është e vogël. Nëse do ta dërgonim në UEFA, do të na jepnin fonde, ndërsa FSHF na jep fonde të vogla.

Dënimi i fundit?

Me qetësi e pritëm, kishim shpresë që ky palaçollëk të shikohej nga Apeli. U dënua Serbia në ndeshjen me Shqipërinë për dy ndeshje. Nuk them a kishin, apo nuk kishin faj ata tifozët. Të dënohej grupimi, pasi nuk janë vetëm ata. Nuk është vetëm grupimi, pasi nuk mund të shmangësh të gjithë që të mos vijnë të shohin ndeshjen. E justifikoi sjelljen e tifo-grupit në këtë ndeshje. Duhen të shihen me qetësi gjërat. Ne paguajmë shumë lekë për gjoba. Dënimet janë tendencioze. Komisioni i Disiplinës është i komanduar.

Do ta shlyeni me shumë financiare dënimin e tifozëve për ndeshjen me Skënderbeun?

Tifozët e dinë se unë respektoj gjithçka brenda rregullave. Këtë ndeshje pa tifozë kam qejf që t’ia lë ta shikojë FSHF dhe televizionet si SuperSport, apo dhe RTSH HD. Opinioni im është që ta lë pa tifozë këtë takim. Unë për vete do të jem në Hong Kong dhe do ta shikoj në televizion. E kam parë edhe njëherë tjetër atje dhe kam fituar. FSHF, po të dojë ta paguajë vetë gjobën, nëse do të shikojë futboll. Këtë vendim e bëj si karshillëk ndaj komisioneve të federatës që na kanë dënuar. U kërkoj ndjesë tifozëve të mi, por do t’u jap mundësi ta shikojnë takimin jashtë në një ambient hapur, duke vendosur ekrane të mëdha. Por këtë dënimin me katër ndeshje dua t’ia lë kënaqësinë FSHF që ta shijojë. Shembull konkret marr atë çfarë ndodhi në Serbi-Shqipëri dhe në ndeshjen tonë ndaj Kukësit. Atje dënimi ishte dy ndeshje pa tifozë, që më pas u zbut në një, ndërsa ne u dënuam me katër takime. Vota ime është që të mos e paguaj gjobën. Nuk i dal kundër federatës, ia plotësoj dëshirën.

Mendoni se vendimi është tendencioz? 

Nuk kam asnjë kontakt me ata, por mendoj se ka qenë tendencioz. Jam duke e studiuar FSHF tani si funksion. U dënuan miqtë me 4 ndeshje dhe nuk dënohen vendasit. Si të mos them se është tendencioze?! Nuk e them të dënohet Kukësi, por nuk ka logjikë që të dënohemi ne që ishim si miq atje.

Gjyqtarët?

Nuk jam ankuar ndonjëherë. Gjyqtarëve u kam thënë të kenë mend në kokë edhe ata mund të gabojnë se janë njerëz, por të mos kenë dashakeqësi. Duhet të edukojmë brezat e rinj.

Marrëdhënia me me presidentin e FSHF, Armand Duka? 

Nuk kam asgjë personale me presidentin e FSHF Armand Duka. Madje, e kam më shumë mik se shumë të tjerë, por flas në parim, pasi sot është ai, nesër mund të jem unë.

Ndeshja me Korabin?

Në letër duket kundërshtar i lehtë, duhet përqendrim maksimal. Korabi ka treguar që luan ndershëm dhe kam respekt për këtë skuadër dhe trajnerin Gerdi Haxhiu. Nuk dua që të na ndodhë si me Tërbunin sezonin e kaluar, ku dy pikët e humbura në stadiumin “Ismail Xhemali” në Pukë na kushtuan titullin. Nuk e di se ku do të luajmë, nuk është problem edhe po luajtëm në Peshkopi, pasi edhe ata tifozë meritojnë të shikojnë një ndeshje në shtëpi.

/minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.