Dëmtime, kartonë, penallti të humbura dhe gola, në “Adush Muça” ndodh gjithçka për një barazim

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Kryendeshja e grupit të PLAY-OFF në Grupin B të Kategorisë së Parë mes Bylisit dhe Lushnjës është ndarë në barazim 1-1. Takimi prodhoi shumë emocione teksa përveç dy golave, u humbën dhe 2 penallti.

Nuk mungoi as një moment ankthi teksa portieri i Bylisit, Bledjan Rizvani, u dërgua në spital pas një përplasje me mbrojtësin Ledion Ruço të Lushnjës, në momentin që ky i fundit shënoi golin e parë të takimit në minutën e 23-të, duke kaluar miqtë në avantazh. Vendin e gardianit Rizvani në fushë e mori i riu Kostandino Dramolli.

Në minutën e 34-të Bylis fitoi një penallti. Jasmin Raboshta mori përsipër ekzekutimin dhe gaboi, teksa portieri Mikel Spaho grushtoi topin, por sfera e rikthyer në lojë u shty në rrjetë nga Renato Hyshmeri që ktheu baraspeshën në shifra.

Në minutën e 35-të u bë një tjetër zëvendësim i detyruar, teksa Endrien Magani la fushën e lojës i dëmtuar dhe u zëvendësua nga Franci Bufazi. Në minutën e 40′ akordohet një tjetër penallti, këtë radhë për Lushnjën, por Mikel Canka gabon në ekzekutimin e saj duke e dërguar topin jashtë.

Në pjesën e dytë Bylis u shfaq më kërkues për golin e përmbysjes, por nuk arriti ta gjente atë, madje nervozizmi i lojtarëve ballshiotë që kërkonin me ngulm fitoren u pa edhe në minutën e 78′ teksa Albi Dosti u ndëshkua me karton të kuq.

Pas këtij takimi, Lushnja dhe Bylis ruajnë pozicionet që kishin në tabelë para fillimit të ndeshjes, me myzeqarët që udhëheqin renditjen në kuotën e 31 pikëve dhe mallakastriotët që ndjekin në vendin e dytë me 29 pikë. /minuta90.com/

Bylis-Lushnja 1-1

Golat: Hyshmeri 35’ / Ruço 23’

Klasifikimi

  1. Lushnja 31 pikë
  2. Bylis 29 pikë
  3. Pogradeci 19 pikë
  4. Shkumbini 15 pikë
  5. Tomori 12 pikë

S'KA KOMENTE

Comments are closed.