Dënim i rëndë nga disiplina për Salihin, vjen reagimi i bomberit

0
SHPËRNDAJE
Loading...


Pas vendimit të dhënë të enjten nga Komisioni Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, me dënimin e dy futbollistëve të skuadrës korçare, ka reaguar sulmuesi Hamdi Salihi. Lojtari bardhekuq ka kërkuar ndjesë për veprimin e bërë, sepse doli jashtë natyrës së tij, pas vendimeve të arbitrit Enea Jorgjit në Kukës. Salihi, i penduar për gabimin e tij (grisi kartonin e kuq të arbitrit kryesor në mënyrë publike dhe demonstrative), u kërkon ndjesë të gjithë sportdashësve, duke u shprehur se pavarësisht gjithçkaje, futbolli duhet t’i bashkojë njerëzit, ndaj lojtarët duhet të tregohen profesionistë e të jenë gjakftohtë, pavarësisht provokimeve nga faktorë të ndryshëm:

“Më vjen keq vërtetë për atë që ndodhi në fushën e lojës, në atë përballje finale. Tensioni, presioni dhe nervat e lojës ishin në nivele shume të larta, pasi po shikonim që mundi dhe sakrifica jonë po hidhej poshtë nga një individ, por duhej të ruanim qetësinë dhe të vazhdonim lojën me ato mundësi që kishim. Më vjen keq për veprimin e nxituar, por nervat e lojës ndikuan shumë. Ai nuk është një veprim shëmbull për të ardhmen e futbollit, ashtu siç nuk janë dhe provokimet që na u bënë në fushë. Shpresoj në mirëkuptimin tuaj, në veçanti të tifozëve të Skënderbeut, pasi, siç dihet, natyra e vërtetë e Salihit, por edhe e gjithë klubit të Skënderbeut, nuk është ajo që u pa në Kukës”.

Kujtojmë se vendimi i Disiplinës për Salihin ishte ky: “ Lojtari i Skënderbeut, Hamdi Salihi, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në kundërshtim me etikën sportive, në bazë të nenit 49/1/a) të KDS, dënohet me 10 ndeshje pezullim nga aktiviteti”. Pezullim me 8 ndeshje u akorduan edhe për Tefik Osmanin, ndërsa menaxheri i skuadrës juglindore, Gerhard Takaj, mori dënimin më të rëndë. Ai u pezullua me 18 muaj nga të gjitha llojet e aktiviteteve sportive, duke mos iu lejuar qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe territorin përreth fushës.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.