Dhuna / Plasin grushtet edhe tek futbolli i femrave

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Aktet e dhunës po kthehen në problem serioz edhe në futbollin e femrave. Episodi i radhës u shënua në derbin e djeshëm të kryeqytetit Dajti – Tirana AS, ndeshje e vlefshme për javën e 12-të të kampionatit kombëtar.

Ndeshja është luajtur e fortë për sa u përket 35 minutave të para dhe më pas çdo gjë ka degjeneruar në një përplasje fizike mes Valbona Popës të Tirana AS dhe Esma Hysajt të Dajtit, ku kryesorja Emanuela Rusta i ka nxjerrë të dyja me kartonin e kuq.

Ka qenë fillimisht një ndërhyrje e rëndë ndaj portieres së Tirana AS Anjeza Popa nga ana e Hysajt. Motra e saj Valbona ka shkuar për të ndihmuar të motrën dhe aty ka nisur edhe përplasja fizike me Hysajn, ku nuk kanë munguar as grushtet mes tyre. U desh ndërhyrja në kohë e lojtareve nga të dyja kampet që më pas ndeshja t’i rikthehej normalitetit.

Kështu, të dyja skuadrat pas kësaj minute kur rezultati ishte 1-0 për Tirana AS kanë luajtur me nga 10 lojtare. Skuadra e Dajtit më pas është hapur në mbrojtje dhe sulmueset kryeqytetase kanë shënuar edhe 5 gola të tjerë. Kështu Begallo bën “poker”, por më pas dëmtohet në kavilje dhe ka lënë fushën e lojës, ndërsa Leba e Sallahi plotësojnë 6-golëshin.


Ndërkohë, ndeshja e dytë vuri përballë Kinostudion me Vllazninë. Edhe kjo javë ka qenë një formalitet për shkodranet, të cilat fituan me goleadë 6-1 duke mos njohur asnjë humbje këtë sezon. Por Vllaznia ka prishur rekordin e mospësimit gol në kaq javë të luajtura, teksa 15-vjeçarja Esi Lufo tund më në fund rrjetën e kuqebluve, gol që vlejti veçse për statistikë.

Pjesa e parë ka qenë e ekuilibruar, ndërsa u mbyll në barazim në shifrat 1-1. Të parët shënuan kryeqytetaset në minutën e 26- të, por skuadra mike barazon në minutën e 39-në me anë të Uendi Mujës. Në fraksionin e dytë, të dyja skuadrat gjuajnë nga 11-metërsh, Cyme Lulaj për Kinostudion e humbet, ndërsa Megi Doçi realizon.

Më pas gjithçka flet për shkodranet, të cilat shënojnë 5 herë në portën e Kinostudios duke mos njohur asnjë rival në rrugën e saj drejt titullit kampion, pasi bëri pronë të vetën edhe Kupën e Shqipërisë pak ditë më parë në finalen me Apoloninë.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.