Dhuna, të huajt e Vllaznisë të shokuar. Duheshin 200 policë

0
SHPËRNDAJE
loading...

Ndeshja finale e Superkupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj, ajo në mes Vllaznisë dhe Tiranës, nuk është zhvilluar. Dhuna e ushtruar fillimisht jashtë pallatit të sportit “Asllan Rusi” nga tifozët bardheblu në dëm të shkodranëve, ka vazhduar me zbritjen e tyre edhe në parketin e fushës dhe për rrjedhojë, drejtuesit e Vllaznisë kanë futur ekipin në dhomat e zhveshjes dhe duke parë që në pallatin e sportit nuk kishin sigurinë e duhur, kanë vendosur që të mos e vazhdojnë më ndeshjen. Ndërkohë, ditën e sotme, në një konferencë për shtyp, dy të huajve që janë pjesë e Vllaznisë, basketbollistët amerikanë, Palmer dhe Olivier janë të zhgënjyer nga ajo çfarë përjetuan ditën e djeshme.

“Dje ishte një eksperiencë që nuk e kisha kaluar në jetën time. Na vjen keq për tifozët e Vllaznisë, sepse ne mund ta fitonim ndeshjen dhe t’i gëzonim ata. Por ajo çfarë ndodhi ishte një çmenduri e vërtetë. Shpresojmë që ndeshjen tjetër të mos kemi të njëjtat probleme“, ka thënë Palmer. Të njëjtën gjë ka thënë edhe amerikani tjetër, Olivier i cili i bën thirrje Federatës të marrë masat për ndeshjet e tjera.

“Vetëm kam vrapuar për t’u larguar nga parketi i pallatit të sportit. Fatmirësisht, askush nga lojtarët e ekipit tim nuk është lënduar”, është shprehur lojtari i sapoardhur në kampionatin shqiptar. Edhe trajneri kroat Jeronimo Sarin fajëson për mosmarrjen e masave, sidomos nga policia, për të evituar gjëra të tilla.

“Ky nuk është sport dhe nuk ka lidhje me të. Shpresoj që situata të tilla të mos i shoh më. Organizimi i ndeshjes ishte nën nivelin që duhej të ishte, sepse në pallatin e sportit ishin 3 mijë persona dhe minimumi duhej të ishin 200 policë”.

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.