Dinamo merr fitoren e parë të vitit dhe “fundos” Apoloninë

0
SHPËRNDAJE

Skuadra e Dinamos duket se ka punuar mirë gjatë janarit, sepse në dy ndeshjet e para të vitit 2017 ka marrë 4 pikë dhe sot arriti suksesin e parë, duke triumfuar 3-1 në Fier, ndaj Apolonisë. Blutë e kryeqytetit mposhtën djemtë e drejtuar nga trajneri Elidon Demiri në transfertë, në një ndeshje mjaft të bukur.

Fierakët janë në rënie të lirë, sepse është e dyta humbje rresht dhe tashmë jo vetëm që janë shuar shpresat për të luftuar për kreun, por shihet me frikë nga vendet e fundit, aq më shumë që nëse shkohet në play-out, pikët përgjysmohen dhe të gjithë rrezikohen.

Pas pjesës së parë pa gola, të mbyllur me shifrat 0-0, në të dytë Dinamo shpërthen duke arritur të vendosë diktatin në fushën e lojës. Blutë hapën “vallen” me sulmuesin Eyoh në minutën e 58-të, për t’i dhënë skuadrës së tij avantazhin.

Ndërkohë, Apolonia reagon mjaft shpejt dhe në minutën e 67′ Blerim Krasniqi barazon shifrat. Sulmuesi i fierakëve shënon një gol mjaft të bukur, duke e dërguar rezultatin në 1-1.

Megjithatë, ky rezultat nuk zgjati shumë, pasi kthesa e ndeshjes erdhi në të 77-tën sepse Dinamo fitoi një 11-metërsh të shndërruar në gol nga Gërxho, teksa ky i fundit ekzekutoi saktë përballë portierit Romeo Harizaj, i cili u fut në lojë për vendasit, pasi portieri Çako doli me karton të kuq.

Apolonia u dorëzua dhe Enkeleid Alikaj mbylli llogaritë me një gol të bukur, 6 minuta para mbylljes, në minutën e 84-të dhe ndeshjen e vulos ky supergol. Mesfushori dërgon një silurë nga distanca pas topit të dhënë nga Eyoh dhe 1-3.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, teksa fitorja ngjit Dinamon në vendin e shtatë kuotën e 17 pikëve, vetëm 2 pikë larg Apolonisë, që për momentin mbetet e pesta, duke pritur rezultatet e fundjavës. /minuta90.com/

Apolonia-Dinamo 1-3

Golat: Krasniqi 67’ / Eyoh 58’, Gërxho (pen) 78’, Alikaj 84’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.