Direktivat e fundit, zbardhet fjalimi i De Biazit para ekipit

0
SHPËRNDAJE

Xhani De Biazi nuk mban fjalime para ndeshjeve, sado të rëndësishme të jenë ato. Por, gjithsesi, ka gjithnjë një herë të parë.

shqiperia

Para fluturimit për në Kopenhagen, trajneri i Shqipërisë sapo ka përfunduar analizën taktike me video para skuadrës, ka dhënë disa porosi individuale dhe ka dashur të injektojë besim në skuadër, çka, sipas vetë pjesës më të madhe të futbollistëve, është perceptuar si një fjalim. Gazeta “Panorama Sport” ka arritur të zbulojë pjesën më të madhe të deklaratës së trajnerit në analizën me dyer të mbyllura. Duket qartazi që pritet të jetë një Shqipëri mbrojtëse, ku do t’i kushtohet maksimalisht rëndësi kundërsulmit.

Ja çfarë u ka thënë ai lojtarëve:

“Së pari, dua ta kini gjithnjë parasysh se ne nuk i trembemi asnjë kundërshtari. Kur them ‘ne’, e kam fjalën mbi të gjitha për ju lojtarët. Edhe njëherë po ua përsëris: NUK i trembemi asnjë kundërshtari. Nuk kemi pasur frikë nga skuadra më të mëdha dhe s’duhet të kemi asnjë droje as ndaj danezëve! Fiksojeni mirë këtë! Së dyti, dëshiroj t’i zbatoni mirë detyrat taktike dhe direktivat që kemi përcaktuar gjatë punës së këtyre ditëve. Duhet të ndodhë patjetër kështu! Nëse duam t’ia dalim mbanë, duhet patjetër të ndodhë kështu… Ju siguroj se, po i zbatuat mirë detyrat taktike, do të jetë më e lehtë për të gjithë.

Së treti, duhet të jeni të kthjellët, sepse mos harroni që ne do t’i presim rivalët dhe nuk do t’i sulmojmë. Çdo minutë që kalon, është në disavantazhin e tyre dhe në favorin tonë. Çdo minutë që kalon, shton stresin tek ata, por edhe agresivitetin. Ne duhet t’i mbulojmë mirë zonat dhe të mbrohemi me qetësi, pa panik. Kur të shohim se kundërshtari është i vendosur keq, duhet të bëjmë atë çka dimë të bëjmë ne… Jam i qartë? Ti Cikallesh…, sa herë që skuadra do ta humbë topin, duhet të kthehesh mbrapa dhe të ushtrosh presing. Sapo shokët e tu të marrin topin, duhet të ecësh para që të krijosh distanca!”.

Formacioni

Ndërkaq, është konfirmuar edhe formacioni që, me 99 për qind, do të jetë pa Hysajn. Në portë do të jetë i padiskutueshmi Berisha, mbrojtja përbëhet nga Xhimshiti, Ajeti, Cana, Agolli. Mesfusha do të jetë e dendur me Gashin në të djathtë, Xhaka, Kukeli dhe Abrashi në qendër dhe Lenjani në të majtë. I vetëm në sulm, Cikalleshi.

Burimi: http://www.panorama-sport.com/2015/09/direktivat-e-fundit-zbardhet-fjalimi-i-de-biazit-para-ekipit/#ixzz3kld9jQxT

S'KA KOMENTE

Comments are closed.