Donjet Shkodra nderon Flamurtarin

0
SHPËRNDAJE
Loading...

15288530_1792106857712095_3974086864025274715_oNjë gol fenomenal i mesfushorit Donjet Shkodra, i dha Flamurtarit fitoren e madhe 1-0 sot kundër Tiranës, në një ndeshje “gladiatorësh”. Me këtë fitore, vlonjatët i janë larguar zonës së ftohtë të tabelës së klasifikimit me një fitore shumë të rëndësishme ndaj Tiranës.

Që para ndeshjes dy skuadrat kishin shumë mungesa, ndërsa gjatë saj u dëmtuan edhe disa të tjerë. Bardheblutë dominuan minutat e para duke mbyllur Flamurtarin në gjysmëfushën e vet dhe duke krijuar disa raste të mira shënimi të njëpasnjëshme, kryesisht me goditjet standarde.

Por vlonjatët u zgjuan pak nga pak dhe në fundin e pjesës së parë arritën të kalonin në avantazh me anë të mesfushorit Donjet Shkodra, i cili realizoi një gol mjaft të bukur pas një shpërthimi në krahun e  majtë. Në pjesën e dytë, reagimi i Tiranës ishte i vakët, pasi skuadra e trajnerit Josa rrallëherë vuri në vështirësi portierin Frashëri.

Për më tepër, në momentin kur nevojitej më shumë trysnia para portës kundërshtare, mori një tjetër goditje pasi Vucaj u ndëshkua me të kuq pas një faulli reagimi ndaj Alves, edhe pse mbetet për t’u kuptuar pse edhe sulmuesi i Flamurtarit nuk mori një ndëshkim të ngjashëm.

Sapo fillon ndeshja, ndërpritet pasi, fiken dritat në stadiumin e Vlorës.

Pas 4 minutash, lojtarët bëjnë nxemje në fushë ndërsa në stadium fillon ndezja e projektorëve, me ndeshjen që rifillon pasi është vënë në punë linja e dytë.

Në fillimin e ndeshjes, Tirana shfaqet më kërkuese me lojën nga krahët, por loja ka edhe ritma të ulta.

Menjeherë bardheblutë shfaqen rrezikshëm dhe në të 7-tën, një goditje dënimi nga e djathta e mesfushorit Vucaj, ku topi mbërrin te Muça i cili gjuan me kokë, por pret në pozicion qendror Frashëri.

As 2 minutash, tjetër mundësi shënimi për bardheblutë dhe përsëri me goditje standarde. Këtë radhë është Hoxhallari që godet me kokë i harruar i vetëm në zonë para portës së Flamurtarit, por sfera përfundon pak jashtë kuadratit.

Tirana vijon sulmet dhe në të 13-tën, provon Vucaj nga distanca, megjithatë Frashëri tregohet i vëmendshëm duke ndalur gjuajtjen e mesfushorit të bardhebluve.

Minuta e 18-të, dhe një tjetër mundësi e pabesueshme shënimi për Tiranën pas një goditje nga këndi. Muça është ai që shfaqet përsëri i vetëm para portës së portierit Frashëri, por gjuan shumë lehtë duke i dhënë mundësinë portierit të devijojë sferën e të shpëtojë portën.

Flamurtari fillon të reagojë, i cili pak nga pak po zhvendos lojën në gjysmëfushën kundërshtare, sidomos në krahun e Rniç.

Trajneri i Flamurtarit, Mezani planifikon të largojë para kohe nga fusha e lojës sulmuesin Shehaj, për shkak dëmtimi, duke i bërë vend mesfushorit Fazliu. Por sulmuesi i kthyer në mesfushor për këtë sfidë, pas disa minutash ndihmë mjekësorë nga fizoterapisti Arzen Voci anës fushës kthehet përsëri në lojë.

Eshtë minuta e 42-të dhe një vertikalizim perfekt i sulmuesit Shehaj në të majtën për mesfushorin Shkodra, i cili depërton në zonë dhe nuk gabon para portierit Lika, duke gjuajtur me të djathtën për të mposhtur portierin në shtyllën e tij. 1-0…

Pas golit, Josa humb edhe shërbimet e mbrojtësit Muça, i cili nuk mund të vazhdojë më dhe i lë vendin në formacion një tjetër lojtari të talentuar, siç është, Deliaj.

E para mbyllet këtu, ndërsa e dyta fillon me zëvendësim për bardheblutë. Josa hedh në fushë mesfushorin Gilman Lika në vend të mesfushorit afrikan, Nkounkou, i cili ishte plotësisht në hije në 45 minutat e para.

Sapo nis pjesa e dytë, një goditje dënimi për Tiranën në pozicion shumë të favorshëm në hyrje të zonës, por i sapofuturi Gilman Lika gabon me një gjuajtje tërësisht të gabuar me të majtën që përfundon shumë mbi traversë.

Në të 51-tën, pas një aksioni të shpejtë të Tiranës, topi përfundon te këmbët e mesfushorit Gilman Lika i cili gjuan rrufeshëm dhe një devijim i mbrojtësit Beqaj për pak kthen topin në rrjetë.

Kur po kronometrohej e 55-ta, ndërpritet për pak minuta loja pas një përplasje kokë më kokë mes mesfushorit Kuqi dhe sulmuesi Cisse. Më e keq e pëson futbollisti vlonjat i cili nuk mund të vazhdojë më.

Eshtë minuta e 61-të dhe Danilo Alves vendos në provë reflekset e portierit Ilion Lika i cili shpëton portën me një grushtim vendimtar.

Eshtë e 73-ta dhe ka një përplasje mes Danilo Alves dhe mesfushorit Erjon Vucaj. Gjyqtari Sadiku, pas sinjalizimit të anësorit, jep karton të kuq për mesfushorin e Tiranës dhe të verdhë për sulmuesin e Flamurtarit.

Në minutat e mbetura, komplikohet situata për Tiranën, por rastet nuk kanë fund.

Minuta e 76-të dhe një mundësi e artë e Tiranës për të barazuar me mesfushorin Taku, i cili pak hapa larg portës nuk devijon topin në kuadratin e vlonjatëve duke e dërguar shumë mbi traversë.

Në të 81-tën, provon përsëri Gilman Lika me një goditje dënimi, por pa sukses.

Flamurtari është tërhequr në mbrojtje të rezultatit por kundërsulmon rrezikshëm sa herë që i jepet mundësia.

4 minuta para fundit të kohës së rregullt, Dushku, i aktivizuar në pjesën e dytë arrin të shpërthejë mirë nga e majta por gjuajtja e tij nuk gjen kuadratin e portës së portierit Ilion Lika.

Kështu, Flamurtari merr një 3-pikësh mjaft të vlefshëm, ndërsa Tirana nuk arriti të merrte as një pikë, edhe pse kishte mungesa të shumta.

Tre pikët ngjitin Flamurtarin në vendin e 7, në kuotën e 13 pikëve, ndërsa Tirana tashmë ka 22 pikë dhe humb përsëri hapin e ekipeve të kreut të renditjes.

Javën e ardhshme, Flamurtari luan në transfertë me Kukësin, ndërsa Tirana luan në shtëpinë e kampiones në fuqi, Skënderbeu. /minuta90.com/

Flamurtari-Tirana 1-0

Goli: Shkodra 42’

Flamurtari (4-4-2): Frashëri, Beqaj, Berisha, Veliu, Rniç, Shehaj, Shkodra (Fazliu 49’), Kuqi (Dushku 59’), Galiç (Gjinaj 83’), Busiç, Alves (në dispozicion: Qirko, Marku, Hoxhaj, Idrizaj) Tr: Gentian Mezani

Tirana (4-2-3-1): I. Lika, Kërçiku (Muzaka 80’), Muça (Deliaj 45’), Domgjoni, Hoxhallari, Acquah, Daja, Taku, Vucaj, Nkounkou (G. Lika 46’), Cisse (në dispozicion: Bakaj, Ntsitsigui, Halili) Tr: Mirel Josa

Gjyqtarë: Remzi Sadiku, Rudin Preça, Emigers Gançi, Emirjon Sino

Kartonë të verdhë: Veliu 47’, Alves 73’

Kartonë të kuq: Vucaj 73’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.