Dossier: Shqiptarët e serisë A (pjesa e parë)

0
SHPËRNDAJE

Të mëdhenjtë e Paraluftës

Për futbollistët tanë të paraluftës mund të ishin shkruar libra të tërë dhe prapë nuk do të ishte e mjaftueshme. Ata kanë luajtur me dhjetëra ndeshje dhe kanë shënuar dhjetëra gola për disa nga ekipet më të mira italiane e botërore, kanë fituar kupa e kampionate por mbi të gjitha kanë shfaqur shpirtin e tyre të madh në fushë dhe jashtë saj. I pari dhe ndoshta më i madhi prej tyre është sulmuesi Riza Lushta nga Mitrovica e direkt mbas tij gjakovari Naim Krieziu.

Së bashku fitojnë kupën e parë te Shqipërisë të cilën përfat e risolli nën dritën e historisë së futbollit shqiptar vetëm para pak vitesh gazetari dhe statisticieni i mirënjohur Besnik Dizdari. Fitojnë prapë bashkë me Sportklub Tiranën kampionatin akoma të palegjitimuar të vitit 1939 ndërkohë që Lushta i kishte fituar më parë tre kampionate radhazi me 1934, 1936 dhe 1937. Ditën e themelimit të Kombëtares së Shqipërisë janë po aty të dy, në fushën e Shallvares në Tiranë, atë ditë kur Kombëtarja A zbriste në fushë për herë të parë në historinë e saj për tu ndeshur me Kombëtaren B.

6-1940-Riza-Lushta
Riza Lushta, viti 1940

Janë po ata të dy që shënojnë dy golat e parë historikë të fitores për ekipin A atë 12 mars 1936 e megjithatë asnjëri prej tyre nuk pati fatin të luante asnjëherë zyrtarisht për Përfaqësuesen e Shqipërisë edhe pse ishin themeluesit e saj. Bashkëlojtari i tyre, i pranishëm edhe ai atë ditë themelimi të Kombëtares sonë, Haki Korça ruan sot e kësaj dite me fanatizëm fotografinë e parë të ekipit në të cilin ndodhen edhe dy të mëdhenjtë e paraluftës, Lushta dhe Krieziu. Fjalë për fjalë shkruhet mbrapa… ”Skuadra nacionale e Shqipnis, Tiranë 1936”!

Debutimi i Lushtës në serinë A daton me 7 janar 1940 kur veshi fanellën e Barit në ndeshjen kundër Venecias, e vlefshme për javën e 14-të. E nisi si fitues me rezultatin 3-0. Në fund të sezonit 39-40, sulmuesi Lushta numëron 16 ndeshje dhe 3 gola për llogari të Barit. Loja e tij e mirë tërheq vëmendjen e Juventusit i cili nxiton për ta bërë të vetin. Për tre vjet luan plot 80 ndeshje e shënon 42 gola duke u renditur edhe sot e kësaj ditë si një ndër shënuesit me mesataren më të lartë në historinë e klubit të Juventusit.

Në finalen e madhe të kupës së Italisë me 28 qershor 1942, sulmuesi shqiptar me numrin 9 shënon plot tre herë për Juventusin në fitoren 4-1 kundër Milanit pas barazimit 1-1 të një jave më parë. Gazeta më e madhe sportive italiane “La Gazzetta dello Sport” i dedikon një koment të gjatë lojës së mrekullueshme të Lushtës.

Jo vetëm që shënon golat vendimtarë të ndeshjes por fiton mjeshtërisht edhe 11-metërshin e realizuar nga shoku i tij i skuadrës. Po atë vit, Naim Krieziu kurorëzohet si kampion i Italisë pasi shënon 6 gola në 23 ndeshje për llogari të Romës. Është titulli i parë kampion për ekipin kryeqytetas e ndërkaq Krieziu korr lëvdatat e shtypit italian për lojën e tij.

Lushta-3
Juventus 1946-47, Lushta i dyti ulur nga e majta

Të gjitha këto ndodhin në fushat e kampionatit kombëtar të kampionëve të botës, Italisë së Silvio Piolës që pak më vonë do të bëhej bashkëlojtar i Loro Boriçit te Lacio e Xhuzepe Meacës, emrin e të cilit Milano ja ka blatuar stadiumit të qytetit të vet. Shumë e shumë vite më vonë edhe Shkodra do ti vinte stadiumit të saj emrin e Loro Boriçit, ndërsa stadiumi Buzë Ibrit i Mitrovicës mori gjithashtu me të drejtë emrin e Riza Lushtës.

Edhe stadiumi i vjetër i Gjakovës është nderuar me emrin e Naim Krieziut. Ky i fundit numëron plot 9 sezone në serinë A, 6 prej tyre me Romën e tre me Napolin. Rikthehet te Roma e tij e dashur për të mos ikur më kurrë prej andej duke u bërë trajner i saj ndërkohë që Riza Lushta shkon në Francë duke u bërë lojtari i parë shqiptar në kategorinë e parë franceze.

krieziu
Naim Kryeziu

Me 10 mars 1940, dy muaj pas debutimit të Lushtës, nisi edhe rruga e gjatë e Naim Krieziut në futbollin italian. Që në ndeshjen e tij të parë nën fanellën e Romës vihet përballë Barit që zbriste në fushë me Riza Lushtën, shokun e tij të ngushtë. Fiton Roma 4-2 kurse Lushta shënon golin e tij të parë të serisë A duke barazuar përkohësisht në 1-1 ndeshjen. Në nëntë vjet Krieziu numëroi në serinë A plot 215 ndeshje e 50 gola për llogari të Romës dhe Napolit.

Lojërat e Naimit dhe Rizait përshkruhen në mënyrë të papërsëritshme nga Anton Mazreku i cili në vitin 1942 shprehej: “E meritojnë mirënjohjen tonë se me lojën e vet të bukur e të shkathët dhe me dishi-plinën e sjelljen e vet fisnike, po e mbajnë nalt flamurin e sportit t’onë në fushat e dy herë kampionëve të botës.

E meritojnë këtë  mirënjohje se janë tue dijtë me e përfaqësue s’ka ma bukur rinin t’onë sportive ndër ndeshje të ma të naltit divizjon kombëtar t’Italisë. Riza Lushta e Naim Krieziu, dy emna që kanë zanë vendin ma të zgjedhun në zemrat e të gjithë sportistave shqiptarë, e kaluan tashma provën e randë të paraqitjes dhe ngjiten me siguri drejt sferave gjithnji ma të nalta.

SS_Lazio_1939-40_squad
Loro Boriçi i dyti lart me Lacion në sezonin 1942-43

Që të dy tërheqin orë e ças komentet ma të ndritshme të publikut dhe të shtypit sportivë italian. Që të dy ushqejnë një dashuni të pastër për sportin, kanë një vullnet të hekurt përparimi, zotnojnë nji repertuar shumë të pasun vetish e cilësish footbaliste. Janë me nji fjalë, që të dy faqja e bardhë e sportit shqiptar. Losin e enthuzjazmojnë publikun italian, endin kalimet ma tërheqëse të topit e topin e dërgojnë shpesh herë me pushue në rrjetin e skuadrës kundërshtare, tue mprehë pendat e fletorarëve për ma të bukurën qindisje artikujsh, të shtymë prej pasionit të flaktë sportivë, prej klasës së vet të naltë, po edhe të nxitun prej dishirit të shenjtë me nderue Shqypnin e dashun….”

Një histori më vete në serinë A italiane kanë pasur edhe Sllave Llambi e Loro Boriçi. Rasti i Llambit është disi i rrallë: statistikat më kokëfortësinë e tyre e nxjerrin kampion me Bolonjën në 1940-41 edhe pse nuk ka luajtur absolutisht asnjë ndeshje zyrtare, gjithsesi ai është pjesë zyrtare e ekipit e rrjedhimisht një lojtar zyrtarisht kampion i serisë A madje edhe më përpara se Naim Krieziu.

200px-Sllave_Llambi
Sllave Llambi

Një vit më vonë Llambi shkon te Interi që atëhere njihej si Ambrosiana-Inter por edhe aty nuk arrin të bëjë asnjë ndeshje zyrtare. Kaq për sa i përket serisë A, por Sllave Llambi është edhe kampion i Shqipërisë me Sportklubin e Tiranës në 1937 dhe 1939 dhe me Partizanin pas çlirimit në rolin e trajnerit, fitues kupe të Republikës me Partizanin, është kampion i Ballkanit me Përfaqësuesen e Shqipërisë, i dalluar në qendërmbrojtje, një nga trajnerët e parë të ekipit Kombëtar, fitues i medaljeve të argjendit me Partizanin në Lajpcig me 1958, specialist i roveshiatave dhe goditjeve gërshërë, atlet i mirëfilltë, kampion e rekordmen kombëtar i kërcimit së larti e kërcimit tre hapësh. Ky ishte Sllave Llambi, një sportist universal që megjithëse nuk luajti asnjë ndeshje në serinë A arriti të rendisë emrin e vet në piedestalin e kampionëve të serisë A të Italisë.

E ndërsa nuk është e lehtë të flitet për Riza Lushtën, Naim Krieziun e Sllave Llambin, vështirësia shtohet akoma më shumë kur bëhet fjalë për Loro Boriçin. Për Loron është folur e shkruar pa fund, madje Skënder Dedja dhe Nexhat Gjuzi me plot kompetencë i kanë kushtuar një libër të tërë kapitenit të futbollit shqiptar e prapë figura e tij mbetet tepër e madhe për tu përshkruar mjaftueshëm.

Për Loron nuk mund të mjaftohem thjesht duke i përmendur titujt e sukseset e shumta të fituara me Vllazninë dhe Partizanin si lojtar dhe si trajner, as me titullin e kampionit të Ballkanit në 1946 me Shqipërinë e as me titullin kampion i Ballkanit si trajner i Partizanit, nuk mund të mjaftohem as me 24 ndeshjet e 6 golat e shënuar me Përfaqësuesen e Shqipërisë që sot dikujt mund ti duken shifra të ulta por për numrin e ndeshjeve që zhvillonte atëherë Kombëtarja janë numra gjigandë.

Është e pamjaftueshme të përmend gjithanshmërinë e tij atletike, apo vetitë e tij për tu dalluar në volejboll, vrapim 400 metërsh e deri në tenis e ping-pong. Të flasësh për emrin e Loro Boriçit është njësoj si flasësh për një legjendë. Shkodra i dhuroi Shqipërisë Loron, njeriun fisnik e human, me një shpirt tejet të madh, edukatorin e dashur dhe të përkushtuar plotësisht, i dha babain e futbollit, Pelenë e shqiptarëve…

Ne fund te muajit del ne botim -Futbollistet shqiptare neper bote-
Libri “Futbollistët Shqiptarë nëpër Botë” prej nga është shkëputur ky dossier

E Loroja përkrah kampionit të botës Silvio Piola te Lacio! Gjendet në Itali me studime në Universitetin e Romës në degën e drejtësisë e prej aty nis të stërvitet me Lacion derisa arrin të debutojë me 30 nëntor 1941 në ndeshjen kundër Livornos të cilën e humb 2-1. E Piola nuk ja lëshon  vendin kollaj duke e kufizuar Loron në vetëm 18 ndeshje në një vit e gjysëm.

E prapë mjaftojnë këto ndeshje që Boriçi të shpalosë talentin dhe mjeshtërinë e tij të rrallë në fushën e lojës duke shënuar madje edhe 3 gola me rëndësi. Pas Lazios, Loro Boriçi kthehet në Shqipëri për ti dhuruar kësaj fitoren e bujshme të kupës së Ballkanit për shtete, dhe duke u bërë protagonisti kryesor i shumë sukseseve të tjera të mëvonshme. E megjithë madhësinë e tij, Loro mbeti njeriu i përulur e i urtë, i dashur e fjalëpak, punëtor e i palodhur deri në vetmohim, gjithnjë i qeshur dhe i gatshëm të ndajë me shokët sukseset e krejt i vetëm të mbartë mbi shpinën e vet fajet e dështimeve.

Në kohërat e errëta të një izolimi total politiko-sportiv dërgohet befas në Kinë për të ndihmuar në zhvillimin e spo-rtit kinez. E Boriçi me thjeshtësinë e vet lë atje përshtypjet më të mira. Me elegancën e rrallë fizike që e ruajti gjatë gjithë jetës së vet u bë simboli i njeriut që dha gjithçka për futbollin shqiptar pa dashur të marrë për vete asnjë përfitim apo meritë.

Edhe në momentet e fundit të jetës e kishte mendjen te futbolli e te çunat siç i thërriste ai futbollistët e tij.  Loro Boriçi është padyshim figura para të cilit ne të gjithë pa përjashtim përulemi plot respekt e dashuri.

© minuta90.com

 

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.