Duka: Çdo fëmijë duhet të stërvitet me programe te aprovuara nga FSHF-ja

0
SHPËRNDAJE

Italia është një rival superior në shumë aspekte, por edhe të mëdhenjtë ndonjëherë u tremben të vegjëlve. Ky duket rasti i “të kaltërve”, rivalët e 24 Marsit të Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit 2018. Në prag të ndeshjes me Italinë, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka foli për herë të parë pa doreza rreth vendimit të fqinjëve për ta zhvilluar ndeshjen në Palermo.

“Unë jam optimist për ndeshjen në Itali. E di që kemi përballë kundërtshtarin më cinik të Europës. Kundërshtarin që nuk ka humbur asnjë nga 54 apo 55 ndeshjet kualifikuese. Na kanë dërguar për të luajtur në Palermo; ndoshta për të na dobësuar pak edhe te elementi i fort që ne kemi: mbështetjen e tifozëve shqiptarë, për të cilët uroj që të gjejnë mundësi të vijnë edhe në stadium. Do të bëjmë maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv. Në futboll është shumë e vështirë të gjesh rezultatin edhe kur ndeshen dy ekipe shumë të barabarta, por në këtë rast nuk jemi aspak të barabartë. Në letër ata janë shumë herë më mirë se ne, por të shohim se çfarë do të dhurojë fusha.”

Për tu përballur me sukses me një rival si katër herë kampionët e botës, drejtuesi më i lart i futbollit shqiptar vazhdon ti bëjë thirrje skuadrës që të harrojë “dehjen” e përfaqësimit në Kampionatin Europian dhe të rigjejë shpirtin e garës dhe të sakrificës që e karakterizonte.

“Po afron një ndeshje shumë e vështirë për ekipin tonë. Për vetë kundërshtarin që kemi përballë, për vetë faktin e paraqitjeve jo të mira që kemi bërë deri më tani. Ajo që thashë “dehje”; ndoshta shtë fjala e vërtetë. Të gjithë ne e kemi përhatuar keq, nuk na ka motivuar për mirë, ndoshta nga unë dhe deri tek i fundit. Festa e Europianit ka përfunduar.

Tashmë duhet të shohim përpara, duhet të shohim për arritje të tjera. Historia pret zhvillime më të mëdha dhe ato vijnë nëse ne kemi impenjim 100 për qind, nëse ne hyjmë në lojë siç kemi hyrë përpara Europianit. Nëse hyjmë në lojë si mjeshtra të mëdhenj, do të dalim si humbës të mëdhenj.”

Italia mënjanë, presidenti Duka foli edhe për temat e nxehta të futbollit në vend, duke i cilësuar të frytshme diskutimet dhe sygjerimet e klubeve, që i cilësoi “një lloj orientimi për të rregulluar mbarëvajtjen dhe për të garantuar të ardhmen dhe zhvillimin e lojës”. Në këtë pjesë e rëndësishme është që futbolli të mbrohet nga paragjykimet dhe akuzat përsa i takon rezultatit në fushë.

“Të gjithë bashkë duhet të kontribuojmë që ta mbrojmë këtë lojë nga paragjykimet e rezultateve. E kam thënë edhe në Asamble, paragjykimet e rezultateve në futboll kanë ekzistuar, gjatë gjithë historisë së tij e kanë shoqëruar. është një fenomen i cili e dëmton lojën, ul emocionet, sepse në fund të fundit kjo lojë prodhon emocione me të papriturat që të dhuron.

Fatkeqësisht nuk kanë shkuar asnjëherë në zero. Ne do të vazhdojmë të luftojmë ta çojmë drejt zeros dhe e them me bindje që jemi në rrugë të mirë. Kemi marrë të gjitha masat që janë në kompetencat tona, për të ndryshuar skemën dhe për ti lënë sa më pak hapësira ndërgjegjes së njerëzve, por nuk mund të them që kemi ndryshuar ndërgjegjen e njerëzve.”

Krijimi i Akademisë së Futbollit është një ndër projektet më të rëndësishëm të federatës, nëpërmjet të cilit synohet rritje e cilësisë së kampionateve të të gjitha niveleve.

“Arbitrimi ka bërë progres. Ne kemi ndryshuar mënyrën sesi do të edukojmë dhe do të përgatisim arbitrat e ardhshëm. Edhe në këtë fushë kemi kaluar një periudhë tranzicioni edhe në këtë fushë. Deri më dje arbitrat janë përgatitur në mënyrë thuajse spontane. Kjo etapë duhet të marrë fund dhe si në çdo profesion tjetër duhet ti përgatisim arbitrat, pasi edhe ky është një lloj profesioni ku duhet ti shkollojmë.”

Një tjetër projekt tejet i rëndësishëm lidhet edhe me punën me fëmijët, me programe profesionale dhe të miratuara nga FSHF-ja për të siguruar të ardhmen e futbollit në Shqipëri.

“E ardhmja jonë do të siguruohet duke investuar më tepër te fëmijët. Ajo që kemi vendosur dhe që e diskutuam në Asamble është ti themi “stop” çdo lloj trajnimi jo-profesional dhe në mënyrë autodidakte, pa programe të miratuara. Duke nisur nga edicioni i ardhshëm, çdo fëmijë në Shqipëri duhet të edukohet në aspektin futbollistik nëpërmjet programeve të miratuara nga specialistët dhe nga drejtoria teknike e FSHF-së. Për të ardhmen: duhet të fusim nën organizimin tonë këdo që ka dëshirë të luajë futboll.”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU