Duka: Tramezzani mund të jetë trajneri i ri, nuk ua mbyll derën shqiptarëve

0
SHPËRNDAJE
loading...

Në konferencën e sotme për shtyp ku trajneri Gianni De Biasi dha dorëheqjen nga Kombëtarja e Shqipërisë, presidenti i FSHF, Armando Duka, komentoi të ardhmen dhe zgjedhjen e trajnerit të ri, teksa nuk përjashtoi si mundësi trajnerin Paolo Tramezzani, por as ndonjë trajner shqiptar.

“Arsyeja që jemi sot këtu është ajo që ju keni dëgjuar dje, deklarata e trajnerit De Biasi që ka vendosur të mos vazhdojë kontratën pas këtij edicioni. Një vendim që personalisht më ka surprizuar.

Më surprizoi fakti që u dha dje, por jo vendimi, sepse ka qenë një diskutim i përbashkët, edhe pse jo në të njëjtin mendim.

Mendimi i tij ishte që cikli ka mbaruar, por kjo nuk ishte bindja ime. Kam menduar se mund të ndryshojë mendim ndaj dhe nuk kemi bërë gjë publike, por dje në konferencë trajneri De Biasi i qëndroi mendimit të tij.

Bashkërisht menduam që ta bëjë zyrtare dhe ta komunikojë sot me ju.”

“Falënderoj misterin De Biasi për kontributin që ka dhënë në ekipin kombëtar, në futbollin shqiptar, në të gjithë punën tonë në FSHF. Jam disi jo i qetë, i emocionuar, sepse kemi kaluar 5 vite punë të cilat kanë pasur gjithçka brenda.

5 vite me shumë emocione dhe me debate për zhvillim, me një sukses të pazakontë që për mua personalisht do lërë shenjë në jetë si një nga sukseset më të mëdha që kam përjetuar falë kontributit të tij.

Marrëdhëniet e FSHF dhe të miat personale kanë justifikuar atë që kam besuar që në ditën e parë. Kur e emëruam në krye, edhe pse kishim alternativa të tjera, besuam se mund të arrijmë diçka.

Sot, megjithëse një ditë jo shumë normale, jo shumë e mirë, ndahemi me një bindje pozitive që bëmë mirë, bëmë zgjedhjen e duhur. Megjithatë nuk ndahemi me mendim të përbashkët, ua thashë që në fillim të konferencës.”

“Negociatat për kontratë dëmtojnë, në asnjë rast nuk ka qenë mendimi im të mos vazhdojmë më tej. Nuk mund të them asnjë lloj konkluzioni përveçse besimit të patundur që De Biasi është trajneri më i mirë për mua i Kombëtares.

Trajneri që ka arritur rezultatin më të mirë dhe suksesin më të madh të Kombëtares. Për këtë dua ta falënderoj.

Nga pikëpamja humane, miqësore, nuk kam humbur asgjë, sepse miqësia do të vazhdojë. Raportin zyrtar e kanë cënuar debatet e punës.

Raporti human do të jetë më i mirë. Njohja jonë është e tillë që ta di se të njëjtën monedhë do të marr edhe nga misteri De Biasi.

Kam qenë i emocionuar që dje sepse vendimi për t’u ndërprerë që tani nuk ishte konsoliduar, por mendimi im është që të shohim bashkërisht për të ardhmen. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta falënderoj, në emër të ekipit, në emër të të gjithëve dhe t’i uroj vetëm të mira në jetë, suksese profesionale por më kryesorja, shëndet për misterin De Biasi dhe familjen e tij.

Jam i sigurt që nuk do të humbë lidhjet me shqiptarët.”

“Nuk kam diskutuar me trajnerin De Biasi që para Luksemburgut. Nuk kam menduar në asnjë rast për një largim të tillë.

Kam vlerësuar pozitivisht punën e misterit De Biasi. Patjetër kam pasur vërejtje, por asnjëherë nuk kam menduar që duhet të largohet apo ta lërë këtu.

Eshtë vendimi i misterit De Biasi dhe nuk është i përbashkët me mendimin tim që cikli ka mbaruar.”

“Trajneri De Biasi doli dje në konferencë për të folur për rezultatin, ekipin. Unë nuk e dija që do të thoshte që do largohet nga Shqipëria, edhe pse ishte diskutim i bërë mes nesh.

Nuk e dija që do e bënte dje, por meqë e deklaroi, sot e zyrtarizuam.

Nuk ka të bëjë me ndonjë ofertë dhe jam i bindur për atë që them sepse pavarësisht dyshimeve, apo përgjigjes me mërzi të trajnerit De Biasi, e njoh mirë që nëse do kishte diçka të tillë do më thoshte. Marrëdhëniet kanë qenë të tilla dhe i kam thënë që nëse FSHF do të t’i cënonte karrierën, atëherë mund të largohej, prandaj ai do ta thoshte.”

“Lamtumirë nuk mund të konsiderohet, sepse ky lloj bashkëpunimi dhe tranzicioni do të bëhet bashkërisht, një lloj dorëzimi dhe asistencë për këdo që do ta pasojë. Misteri De Biasi na ka garantuar që do e bëjë.”

“Kurrë mos thuaj kurrë, Tramezzani mund të jetë një alternativë, një person që e njeh Kombëtaren shqiptare të futbollit.”

“Nuk kam menduar asgjë për emra konkretë, por besoj se që nga sot do të filloj të kërkoj. Nuk e kam mbyllur asnjëherë opsionin shqiptar apo të huaj, e rëndësishme është që të jetë i mirë.”

“Nuk do më pëlqente të filloja këtë proçes tani, dëshiroja ta filloja pas eliminatorëve. Më pëlqen apo jo, ndoshta është më mirë se ky ishte mendimi Xhanit.

Ai që do vijë do e njohë më mirë skuadrën.

Do diskutoj me stafin teknik të FSHF dhe realisht nuk jam në gjendje të dal tani në një vendim të pjekur se çfarë duhet të bëjmë dhe për strategjinë që duhet të ndjekim për katër ndeshjet e mbetura dhe të ardhmen e eliminatorëve të 2020.

Duhet ta diskutoj dhe të dalim me qëndrim teknik kush është më e mira për ekipin kombëtar. Nuk jam i vendosur për strategjinë dhe për të ardhmen”.

“Një referencë nga trajneri De Biasi? Pse jo, dhe jo vetëm për trajnerin. Për sa kohë që marrëdhëniet njerëzorë të mira vazhdojnë.

Eshtë një njeri që e kemi besuar kaq shumë, që i kemi përjetuar kaq shumë të mira bashkë dhe e vlerësojmë dhe është mëkat të mos e shfrytëzosh për një referencë”.

“Nuk kam menduar që është vonë, kam menduar në të njëjtën mënyrë para Europianit. Kam thënë publikisht që të presim mbarimin dhe pastaj diskutojmë për kontratat, duke i qenë besnik i mendimit që diskutimet kontraktuale gjatë edicionit ndoshta cenojnë mbarëvajtjen e ekipit.

Në fund do të diskutonim për të ardhmen në këtë mënyrë. Nuk kam qenë i vendosur dhe i bindur që trajneri De Biasi ka mbyllur ciklin, ndoshta nuk kam qenë as i bindur që mund të japë shumë më shumë.

Ndoshta mund të ishte dhënë një sinjal. Ku i dihet, ndoshta është bërë mirë që nuk është dhënë”.

“Nuk mendoj se nuk do të arrija ta bindja, por ndoshta më ka bindur trajneri mua se kjo është më e mira për ato argumente që vetë trajneri De Biasi tha, që ndoshta nuk luftojmë më për një vend kualifikues. Prandaj le të mendojmë për të ardhmen”.

“Kushdo që të jetë do kohën e mjaftueshme për të njohur ambientin. Nëse do të ishte trajneri De Biasi i pranishëm, do të ishte më e lehtë.

Zëvendësimi më mirë sot se në fillimin e edicionit të ardhshëm”.

“Unë jam i mendimit që në asnjë rast, asnjë ndeshje asnjë minutë nuk nënvlerësohet, në çdo rast duhet marrë maksimumi i mundshëm. Duhet të ndërtosh programin, ne do të vazhdojmë me objektivin për t’i fituar 4 ndeshjet e radhës, edhe pse kundërshtarët janë shumë të fortë dhe kryesues të grupit.

Të njëjtin diskutim edhe kur nënshkruam kontratë, të rinovojmë ekipin duke arritur rezultatet, thotë se nuk ka nevojë për të rinovuar, por për t’u konsoliduar. Në asnjë rast nuk mund të nënvlerësojmë asnjë minutë nga ndeshjet e ardhës”.

“Nuk jam i gatshëm ta jap përgjigjen sot, thashë do të diskutoj dhe do të dal me një vendim sa më të mirë për ekipin”.

“Nuk duhet bërë shpikje, ka status dhe organe që i respektoj. Vendi i drejtorit teknik sot është vakant, por mbulohet nga sekretari Shulku, së shpejti ndoshta do të kemi një emër në atë post.

Në drejtorinë teknike të FSHF dhe ai staf janë të gjithë njerëz të futbollit, ish-trajnerë dhe futbollistë, me ata do ta bëj konsultimin, jo me ndonjë gazetar”,-mbylli prononcimin e tij, presidenti i FSHF, Armando Duka. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU