Duro: Fitorja, shumë e rëndësishme dhe e detyrueshme

0
SHPËRNDAJE

Përkundër fitores së thellë ndaj Korabit, trajneri i Flamurtarit Shpëtim Duro mundohet t’i mbajë me këmbë në tokë lojtarët e tij. Tekniku i vlonjatëve e cilësoi këtë fitore si shumë të rëndësishme për moralin, por theksoi se kundërshtari nuk ishte i duhuri për të vlerësuar forcën e vërtetë të skuadrës.

Këto komente Duro i bëri në një prononcim për SuperSport në përfundim të ndeshjes së fituar 6-0 në shtëpi.

“Për momentin ku ishim, fitorja është shumë e rëndësishme. Nuk ishte ndonjë meritë e madhe, por një fitore e detyrueshme, pasi nuk kishim alternativë tjetër. Pasi shënuam dy herë, e menaxhuam situatën me qetësi dhe morëm këtë fitore të thellë.

Nuk ishte test shumë i rëndësishëm sot përballë një kundërshtari pa motivimin e duhur. Megjithatë morëm një fitore bindëse për moralin. Unë do të doja fitore në ndeshje të tjera, në tri-katër ndeshjet e mëparshme, përfshirë edhe atë me Kukësin, pasi i kemi pasur mundësitë. Ndërkohë që në Laç nuk luajtëm as me 50-60 për qind të mundësive tona”.

“Në gjashtë herë që e kam drejtuar unë Flamurtarin, Shkodra ka luajtur vetëm dy-tri ndeshje. Ka qenë pesë kile mbipeshë, por dalëngadalë e ka marrë veten. Eshtë një lojtar me bagazh, por gjendja fizike nuk e ka lejuar të japë më të mirën. Ndërkohë që mesfushorin Fazliu mund ta ndërroja që në pushim pasi pësoi një dëmtimi në pjesën e parë, por e lejova të luante edhe pak pasi ishte rrezik serioz për Korabin në krahun e majtë”.

“Kemi pasur shumë mungesa të rëndësishme si Shkodra apo Busiç, ç’ka ndikon në gjendjen e përgjithshme të ekipit. Sot ishte mirë edhe Telushi, i cili i dha më shumë lirshmëri lojës sonë. Skuadra gradualisht e ka marrë veten. E theksoj që fitorja e sotme ishte detyrim, por ndikon shumë në aspektin moral për ne”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.