“Dy kapitenët” në radarin e Vllaznisë

0
SHPËRNDAJE


Superiorja / Zyrtarisht mungojnë firmat, e megjithatë kjo nuk e ka penguar Vllazninë që të avancojë me negociatat për merkaton. Veç Edon Hasanit, zbulohen edhe emrat e tjerë që janë në listën e dëshirave të klubit. Shkodranët kanë kontaktuar edhe me Erjon Vucajn, i cili, edhe pse ka dalë në stërvitje me kurbinasit, në fakt nuk ka kontratë, ndaj shanset për ta “joshur” fantazistin ekzistojnë ende.

Por, nuk është i vetmi. Vëmendja është përqendruar edhe në mesfushë, por këtë herë “grepat” janë hedhur te Tirana, e cila ka rënë në Kategorinë e Parë. Edhe pse duke i vështirë si “operacion”, Vllaznia ka kërkuar shërbimet e Erando Karabecit. Kapiteni i bardhebluve, me shumë gjasë, do të rinovojë kontratën, por mësohet se kuqeblutë ia kanë bërë të qartë se e kanë në plane.

Asgjë nuk mund të quhet e mbyllur, edhe pse nga sa mësohet mesfushori ua ka bërë të qartë shkodranëve se mbetet besnik i kryeqytetasve edhe në inferiore. Me 99% të mundësive ai nuk largohet, ndaj dhe akordi me Vllazninë duket i largët. Synohet edhe një mbrojtës krahu, i majtë konkretisht, dhe në “pole” për këtë është Hektor Idrizaj. Vlonjati sezonin e fundit e mbylli me Skënderbeun dhe, duke qenë se është lojtar i lirë në treg, mundësitë e një marrëveshje janë realisht të mëdha.

PRAPASKENA ME HASANIN

Pavarësisht zërave për një akord mes drejtuesve të Vllaznisë dhe Edon Hasanit, në realitet asgjë nuk është mbyllur. Gjithçka ka mbetur në kuadrin e dëshirave, edhe pse palët kanë folur dhe për terma financiarë. E, megjithatë, kjo nuk shuan shpresat për rikthimin e mesfushorit në Shkodër, pasi kjo mund të ndodhë në ditët në vazhdim.

Trajneri Armando Cungu, si dhe administratori Astrit Gjyrezi në prononcimet e tyre e kanë bërë të qartë dëshirën për ta marrë këtë lojtar. Por jo gjithçka është në dorën e shkodranëve, tashmë “topi” ka kaluar në anën e Hasanit. Ky i fundit ka pasur edhe disa oferta të tjera, ku mund të përmendin negociatat me Sepahanin në Iran apo edhe Flamurtarin, ndaj ende nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare në Shkodër.

Lojtari 25-vjeçar, i cili sezonin e fundit luajti për Kukësin, momentalisht është duke shqyrtuar që të gjitha pistat. Një afrim i tillë do t’i bënte shumë punë stafit teknik, për më tepër kur dihet që Vllaznisë i mungon një element me cilësitë e tij. Përveç Hasanit, është diskutuar shumë edhe për Gilman Likën. Por situata për të duket disi ndryshe. Nuk ka pasur negociata mes tij dhe klubit, çka bën që rikthimi i mesfushorit të mos realizohet.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.