E çuditshme, Alban Meha kërkon bileta për të parë Kombëtaren

0
SHPËRNDAJE

Kombëtarja/ Duket e çuditshme, por një futbollist i kombëtares shqiptare, Alban Meha, kërkon bileta për ndeshjen e 8 tetorit kundër Serbisë, në “Elbasan Arena”. Mesfushori kuqezi, që nuk është grumbulluar më nga De Biazi, që pas ndeshjes me Armeninë, të cilën e fituam 2-1, ka bërë një kërkesë publike përmes faqes së tij në Facebook: “Kush ka bileta për 8 tetor 2015”.

Imagjinoni më tej, kur një lojtar kuqezi nuk pajiset dot me biletë nga FSHF-ja, për vete (nëse i duhet ta përcjellë këtë sfidë si tifoz, jo si pjesë e grupit të De Biazit), apo për familjarët, si mund ta kenë këtë fat tifozët e thjeshtë të kombëtares, ata që s’i ndahen asaj në të mirë dhe në të keq, brenda dhe jashtë vendit. Shpërndarja e biletave online, sikurse pretendon federata, duket një truk për të larë duart, sepse ato nuk po mbërrijnë dot në duart e futbollistëve, jo më të njerëzve të thjeshtë.
image
Në fakt, kërkesa e Mehës për bileta të ndeshjes me Serbinë shërben më së miri për të kuptuar mënyrën e shpërndarjes së tyre për zyrtarë, qeveritarë, prokurorë e njerëz të kollarisur, që do të jenë dekori më i shëmtuar i “Elbasan Arena” më 8 tetor. Sikurse dihet, ka një praktikë, që funksionon edhe për klubet, jo më kombëtaret: lojtarët pajisen me një numër të caktuar biletash për njerëzit e tyre.

Alban Meha me një shqiponjë në duar, simboli i shqiptarëve
Kjo do të thotë se Meha nuk e llogarit veten pjesë të të grumbulluarve të De Biazit për ndeshjen me Serbinë, edhe pse po shkëlqen në Turqi, ose rregulli i mësipërm vlen për lojtarë të veçantë, duke bërë dallime mes grupit kuqezi. Meqë FSHF-ja kërkon “fair-play” në letrën shoqëruese të biletave, që nuk dihet se ku janë, sepse akoma janë të paaksesueshme nga tifozët, le të tregohet e tillë edhe vetë.
image
Edhe po s’e ftoi Alban Mehën për ndeshjen me serbët, le t’ia rezervojë disa bileta për ta parë si tifoz, bashkë me njerëzit e vet. Kaq e meriton, për sa ka dhënë në kombëtare, edhe nëse De Biazi me tekat e tij s’e llogarit më. Ta ketë seriozisht, apo e ka shkruar me ironi këtë status lojtari i renditur i 9-ti në botë për goditjet “vrasëse” të dënimit, kjo vështirë të hamendësohet. Megjithatë, në të dyja rastet e kryqëzuar është FSHF-ja, që po ua fsheh biletat jo vetëm tifozëve të thjeshtë, por edhe futbollistëve që kanë djersitur për fanellën kuqezi. /Telesport/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.