E habitshme, Kukësi ka frikë mos FSHF dënon Laçin

0
SHPËRNDAJE

Në fillim reguan ashpër kuksianët pas ndeshjes ndaj Laçit të cilën e barazuan dhe nuk e fituan dot.
“Një pasdite jo e mirë, ku nuk arrijmë të fitojmë, në një fushë që i ngjante protestës me objektet e hedhura gjatë lojës. Gjithsesi, vazhdojmë pa humbje dhe në vend të parë”. Ishte ky reagimi i Kukësit menjëherë pas ndeshjes në Laç, ku barazoi pa gola. Mirëpo, 24 orë më pas vjen një tjetër version nga zyrat e klubit verilindor.

Përmes një komunikate për shtyp, te Kukësi kërkojnë të zbusin tonet sa i përket asaj që ka ndodhur, veçanërisht në minutat e fundit, ku sende të forta u hodhën në fushë dhe tashmë klubi i Laçit rrezikon të dënohet minimalisht me një ndeshje pa tifozë nga Komisioni i Disiplinës. Gjyqtari dhe delegati i ndeshjes pritet të raportojnë gjithçka për atë që u pa “live” në TV, në një kohë që kjo kthesë e menjëhershme e Kukësit në raport me Laçin e ka një shkak.

Duke qenë se kurbinasit mund të dënohen me një ndeshje pa spektatorë në shtëpi, përkon që ajo të shlyhet ndaj Partizanit në javën e 24-t. Mirëpo, të kuqtë janë rivali direkt i Kukësit dhe natyrisht kryesuesve nuk do t’u interesonte që kundërshtari i tyre ta kishte më të lehtë në transfertën delikate të Laçit.

Kukësi e provoi se çfarë do të thotë një prani e madhe tifozësh në stadiumin e Laçit, ndërsa tashmë rivali për titull, Partizani, ka shanse të luajë në një stadium të mbyllur ndaj skuadrës që lufton për mbijetesë. Kësisoj, edhe “zbutja” e Kukësit për atë që ndodhi, vërtetohet më së miri në deklaratën e bërë dje, e cila hidhte poshtë qëndrimin e mbajtur menjëherë pas ndeshjes.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.