E habitshme Paolo Tramexani largohet nga Lugano

0
SHPËRNDAJE
loading...


Zyrtare, Paolo Tramexani nuk është më trajner i Luganos, teksa ka ndërprerë me konsensus marrëveshjen me klubin zviceran, ku kishte edhe dy vite të tjera kontratë.

Presidenti i Luganos, Anxhelo Renxeti, në daljen para medieve sot, u shpreh se ka respektuar vendimin e trajnerit italian dhe në fund zgjodhën të ndërprisnin me marrëveshje kontratën.

“Dje u takova me Paolon dhe dëgjova arsyet e tij. Vendimi i përbashkët është prishja e marrëveshjes, duke zbatuar dëshirën e tij. Dua të kem një marrëdhënie të mirë me të. Shpresoja ta mbaja, nuk dua të hedh atë që është bërë. Trajneri i ri duhet të ketë karakteristikat e Paolos, të jetë i zoti t’i motivojë në maksimum lojtarët. Bëra një mrekulli duke e marrë Tramexanin, por ka ardhur koha që të hedhë një hap më tej, sepse ai do shkojë në një klub më të madh, me pagë më të lartë. Nëse ndonjë lojtar do të dëshirojë të largohet me trajnerin, do të bisedojmë”, ishin fjalët e Renxetit.
Më pas foli Tramexani, i cili i falënderoi të gjithë për çka kaloi te Lugano, ndërkohë që tani po bëhet gati për një aventurë të re. Ofertat për të janë të shumta dhe mbetet për t’u parë se ku do të transferohet ish-ndihmësi i De Biazit.

“Falënderoj presidentin. Përtej gjithçka ndodhi, forca jonë ka qenë ajo e të folurit dhe të përballurit me njëri-tjetrin. Marrëdhënia jonë ka qenë e rëndësishme që në fillim. Ai më lejoi të nisja karrierën si trajner i parë. E lë Luganon në Europa League dhe ky është një rezultat i bukur, por edhe më i bukur është raporti që kam pasur me gjithë klubin. Diferencën e bënë djemtë, që kanë ndryshuar lëkurë pa asnjë problem”.

“Në dy vite e gjysmë kontratë që kisha, plani ishte mbijetesa dhe vitin pasardhës diçka më shumë. Kemi arritur gjithçka me një shpejtësi marramendëse, ndaj mendoj se e arrita objektivin afatgjatë, edhe pse për presidentin kam menduar vërtet të qëndroj. Kam marrë shumë oferta dhe dua ta nis nga zero. Ka qenë një projekt rritjeje i pabesueshëm. Brenda meje do të ruaj përgjithmonë atë që kam marrë nga këta djem. I falënderoj të gjithë, sepse ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Ma bëri zemrën mal përqafimi i marrë nga qyteti. Është e vërtetë, kam bërë edhe gabime, por kam dhënë gjithçka dhe jam krenar për eksperiencën e përjetuar. Tani dua ta nis nga zero, nuk kam frikë nga eksperiencat e reja, do të jap gjithçka, si zakonisht”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU