Ekskluzive, ja lëvizjet e fundit te Skënderbeu

1
SHPËRNDAJE

Edhe pse akoma jemi në aromë festash, skuadra e Skënderbeut ka filluar që tani për të menduar për merkaton. Burime të sigurta të minuta90.com bëjnë me dije se, disa nga emrat që lakohen janë Bledar Hajdini, Bruno Telushi, Ergys Kaçe, Dejvi Bregu, Afrim Taku, Armando Vajushi dhe Danilo Alves.

Për portierin Hajdini, që aktualisht është pjesë e Trepça ’89 dhe ka bërë një super sezon deri më tani duke u shpallur edhe kampion dimri me ekipin e tij, siç bëhet me dije po mbahet nën vëzhgim nga stafi i Skënderbeut për një lëvizje të mundshme drejt Korçës. Portieri i ri është ftuar edhe nga Kombëtarja e Kosovës në dy ndeshje.

Ndërkaq, ashtu si vitet e shkuara, Skënderbeu do të “peshkojë” edhe në Superiore dhe Flamurtari ka disa emra shumë interesantë. Bruno Telushi dhe Danilo Alves janë dy emrat që mund të shkojnë te Skënderbeu. I pari është vlonjat dhe kapiten, prandaj duket e vështirë që të largohet, ndërsa Danilo Alves është nën kontratë dhe ekskluzivisht për minuta90.com, sulmuesi ka deklaruar se pret të bisedojë me Flamurtarin, pasi dëshiron të vazhdojë në Vlorë, ku është ndjerë shumë mirë.

Poashtu, përflitet se Skëndërbeu mund të afrojë në formë huazimi mesfushorin Ergys Kaçe, për muajt e mbetur të kampionatit. Afrimi i mesfushorit të Kombëtares do të zgjidhte problemet në organizimin e lojës, teksa kërkohet urgjentisht një organizator.

Kaçe ishte huazuar tek Viktoria Plzen, por pas pas sherrit që pati me trajnerin e çekëve u rikthye te PAOK i Selanikut. Ai duket se nuk i ka raportet të mira as me drejtuesit e klubit grek dhe duket se do të jetë në stol edhe për pjesën tjetër të sezonit.

Për këtë arsye klubi korçar po mendon ta huazojë, si zgjidhjen më të mirë të kësaj situate. Burime të sigurta të minuta90.com bëjnë me dije se, Skënderbeu duket ekipi më i mundshëm, por pengesë duket paga e lartë që ai merr te PAOK.

Por synimet e presidentit të Skënderbeut, Ardian Takaj nuk mbarojnë këtu. Siç bëjnë me dije burime të sigurta të minuta90.com, Takaj i ka vendosur syrin talentit shkodran Armando Vajushi, ku mesfushori mund të jetë përforcimi “big” për merkaton e dimrit, së bashku me mesfushorin tjetër, Kaçe. Për futbollistin e Pro Vercelli, korçarët duhet të paguajnë një shumë të madhe parash, teksa drejtuesit e dy skuadrave mund të ulen për të biseduar së afërmi.

Ndërkohë, Skënderbeu nuk heq dorë as nga Dejvi Bregu. Siç ju kemi vendosur në dijeni edhe më përpara, klubi korçar ka arritur akordin në parim me drejtuesit gjirokastritë për kartonin e tij dhe nëse gjithçka shkon sipas planeve, Luftëtari do të përfitojë 50 mijë euro për kartonin e talentit vlonjat.

Jo vetëm bluzinjtë do të mbushin “arkën”, pasi edhe për mesfushorin është vendosur në dispozicion një rrogë e majme, afro 5 mijë euro në muaj, shumë më shumë nga sa përfiton aktualisht. Sigurisht që një gjë e tillë ende nuk është bërë zyrtare dhe pritet njoftimi i radhës nga klubi bardhekuq, por burimet flasin se ky “operacion” është drejt mbylljes. Për të bindur Luftëtarin që të lërë të lirë vlonjatin, Sebino Plaku mund të kalojë në Gjirokastër.

Ndërkaq, edhe Afrim Taku ka shumë mundësi të veshë fanellën e Skënderbeut kampion në këtë merkato dimri. Kohët e fundit është folur për një kalim të mesfushorit të Tiranës te skuadra korçare, por siç bëjnë me dije burime të sigurta të minuta90.com, gjithçka mbetet në kuadrin e zërave të merkatos për momentin.

Taku luan si në krahun e djathtë të mbrojtjes, ashtu edhe në mesfushë, ndaj dhe mund të jetë një përforcim me vlera për korçarët. Ai është një lojtar i lakmuar edhe nga skuadra të tjera me pretendime, por oferta e kampionëve mund të joshte më shumë.

Ndërkohë, edhe trajneri Andrea Agostinelli nuk është në kushte komode te Skënderbeu, teksa tifozët nëpër rrjete sociale kanë pakënaqësi të shumta ndaj tij. Burime të sigurta të minuta90.com pohojnë se tashmë pozitat e italianit kanë nisur të lëkunden së tepërmi.

minuta90.com ka mësuar edhe trajnerin që mund ta pasojë italianin Agostinelli, dhe ai është Redi Jupi. Emri i tij është përmendur edhe më parë, dhe po lakohet sërish, por për të pasur diçka konkrete, duhet që të mbyllet aventura e teknikut Agostinelli.

Kjo është pak a shumë situata momentale e merkatos së Skënderbeut në këto ditë të fundvitit. Drejtuesit, me në krye presidentin Takaj e kanë kuptuar se për ta shpallur ekipin kampion dhe për të mbrojtur titullin duhet të bëjnë ndryshime dhe afrime sa më cilësore. /minuta90.com/

1 KOMENT

  1. Blerjet mund te realizohen,por kjo nuk do ndryshoje asgje ne renditjen perfundimtare te Skenderbeut per kete vit.Renditje qe Skenderbeu do garantoje vetem pjesmarrjen ne kupat e evropes.
    Kete lojtaret aktuale e kane te qarte prandaj edhe niveli aktual eshte ky qe eshte.Vitin tjeter ndoshta del perseri kampion.

Comments are closed.