Ekskluzive, te Vllaznia lakohen shumë emra, por nuk ka asgjë zyrtare

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Si gjithmonë kur është kohë merkatoje, në Shkodër lakohen shumë emra futbollistësh. Siç bëjnë me dije burime të sigurta të minuta90.com, disa nga emrat që përfliten janë Edon Hasani, Erjon Vucaj, Gilman Lika dhe Ansi Nika.

Të katërt këta futbollistë janë shkodranë, dhe si përherë tifozët i duan këta lojtarë patjetër në ekip, por trajneri Armando Cungu e deklaroi menjëherë pas ndeshjes me Tiranën, që kuqeblutë nuk kanë buxhet as për të blerë një shkrepëse. Që të 4-t këta lojtarë kanë kontrata me ekipet e tyre.

I vetmi që mund ta shkëpusë kontratën prej lojtarëve të lartpërmendur është Ansi Nika, i cili nuk është se ka pasur hapësira të shumta te skuadra e Tiranës. Ndërkaq, orët e fundit në Shkodër po flitet edhe emri i sulmuesit të Skënderbeut, Hamdi Salihi.

Goleadori shkodran, këtë sezon nuk ka kaluar një periudhë të mirë tek korçarët dhe siç bëjnë me dije burime të sigurta të minuta90.com, largimi nga “Ujqërit e Dëborës” është thjesht një formalitet. Sakaq, më përpara, u fol se do të vijë në provë edhe Fabio Hoxha, por trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, e mohoi këtë fakt.

Nëse deri tani, folëm për afrime, tashmë mund të flasim për largime. Nga sa bëhet e ditur nga minuta90.com pranë KF Vllaznia, largimi i tretë i kuqebluve pritet të jetë Brunild Pepa.

Sulmuesi nuk ka shfaqur atë që pritej nga stafi teknik, me në krye trajnerin Cungu, dhe largimi nuk është i largët. Ndërkohë, për tre nga lojtarët më të mirë të Vllaznisë, në pjesën e parë të sezonit, kanë mbërritur edhe oferta.

Bëhet fjalë për mbrojtësin Ditmar Bicaj, mesfushorin Ardit Krymi dhe sulmuesin Eraldo Çinari. I pari ka oferta nga jashtë vendit dhe mund ta joshin, duke ofruar shuma tunduese, edhe pse ky i fundit e ka mohuar ekskluzivisht për minuta90.com se nuk do të largohet nga Shkodra. Ndërsa, Krymi, ka mbërritur një ofertë nga një klub i Kategorisë Superiore, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Ndërkaq, edhe për sulmuesin Çinari ka ofertë nga klubi i Partizanit, teksa të kuqtë e duan me patjetër të riun shkodran.

Tashmë, e vetmja gjë që mund të bëjmë, është të presim dhe të shohim. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.