Elbasan, vendi ku “Xhaxhurët” shkelmuan topin e parë në 1913

0
SHPËRNDAJE

Nga Bardha Nergjoni

Elbasani është shndërruar këto kohë në kryeqytetin e futbollit shqiptar; kjo falë “Elbasan Arena”-s, ku përfaqsuesja kueqezi po tenton të bëjë historinë. Po vetë ky qytet, ç`gjurmë ka lënë në futboll? Ne po u sjellim historinë e veçantë të një lagjeje, ku djelmoshat e saj nisën të luajnë me një top të ardhur nga Stambolli. Quhen Xhaxhurët.

Kjo është njëherësh dhe historia e një lagjeje që bëri futboll të pastër, pasionant dhe pa asnjë përfitim; e që si një legjendë e futbollit amator, shënoi njëherësh dhe fillesat e futbollit profesionist.

Jovan Dimitresku, njeriu që solli futbollin në Elbasan
Jovan Dimitresku, njeriu që solli futbollin në Elbasan

Futbolli zyrtar në Elbasan shfaqet qysh në vitin 1913 kur një nga djemtë e qytetit, që ishte për studimet në Stamboll, Jovan Dimitresku, solli një top dhe ngriti skuadrat e para të futbollit buzë Shkumbinit tek çarja e Stringës, në vendin e njohur sot si Xhaxhurët.

Kjo gjë është dokumentuar në historikun e futbollit të qytetit dhe konfirmon traditën e futbollit të Elbasanit. Dimitresku ngriti dy ekipe që luajtën me topin e sjellë nga Stambolli në një fushë të improvizuar.

imageFusha e njohur nga të gjithë si “Sporti i Vjetër” është ndërtuar aty nga vitet 30-të dhe ndodhet pikërisht në të njëjtën lagje ku futbolli do të kthehej në pasionin më të madh të të rinjve në vitet në vazhdim. Emra të njohur si Gjikat, Allkjat, Pavllo Jorgaqi, etj., që kanë bërë historinë e futbollit elbasanas, kanë luajtur tek Xhaxhurët.

Xhaxhurët dhe pasioni për futbollin

Xhaxhurët në Elbasan janë të njohur si lagja që kishte një ekip të mirëfilltë futbolli edhe pse mbeti në nivelin amator për shumë vite duke vazhduar edhe sot. Do të ishte meritë e Lefter Hodajt që Xhaxhurët të kishin shkëlqimin e fituesve, e madje të ktheheshin në “tmerr” të shumë ekipeve edhe profesioniste. Djemtë e kësaj lagjeje luanin futboll me shpirt dhe tërhiqnin vëmendjen edhe të futbollistëve në ekipet kryesore.

Pikërisht “Sporti i Vjetër” do të ishte streha e ekipit të Xhaxhurëve që emrin në periudhën e shkëlqimit e kishin Debatikasit. Kjo fushë mban shumë histori të arta futbolli për një lagje që tërhiqte vëmendjen e tifozëve; dhe madje ishin aq mirë të organizuar sa kur luanin Xhaxhurët kishte afishe në qendër të qytetit.

Shumë emra futbolli edhe në nivel kombëtar kanë dalë nga kjo lagje. Dy nga futbollistët e dikurshëm që kanë bërë historinë e Xhaxhurëve tregojnë pasionin për futbollin dhe historitë që i shndërruan në “të pamposhturit”.

Lefter Hodaj u shqua si sulmues që pati dhe oferta për në ekip profesionist, por që nuk e braktisi kurrë ekipin e tij dhe shokët ndër të cilët kujton edhe histori. Me shumë nostalgji, bashkë me Myrteza Allkjan, tregon se si një lagje luante futboll dhe madje ishte edhe tmerri i ekipeve të forta për kohën.

“Fusha e Sportit të vjetër është zemra e futbollit të lagjes së Xhaxhurëve. Ne vinim edhe shpallje sikur të ishte kampionat. Lagja jonë ka nxjerrë futbollistë mjaft të njohur. Në ekipin e Xhaxhurve ka luajtur Mihal Gjika, Dhimitër Gjika, Sotiraq Gugu, Pavllo Jorgaqi, pra lojtarë që i njihte i gjithë Elbasani. Kur përfundonin ndeshjen nuk kishte urrejtje por gjithmonë festohej kushdo që të fitonte”.472634_321027944692260_1801717989_o

Ndërkohë Lefteri thotë se ka pasur edhe oferta nga ekipet profesioniste, por ka preferuar të mbetet gjithmonë amator.

“Gjatë një ndeshjeje ishin mbledhur emrat më të njohur të futbollit elbasanas ndër të cilët mund të veçoj Skënder Toskun e Sabri Peqinin. Ata diskutonin ndërsa luaja, dhe Tosku me pyet ku punoja dhe më ofron të shkoj të luaja me Peqinin. Disiplinën nuk e kishim qejf dhe për këtë arsye nuk shkova. I kisha shanset por nuk shkova dhe preferova të vazhdoj në futbollin amator”.

Xhaxhurët, “të pamposhturit”

Çdo ndeshje me ekipet jo-profesioniste ishte e fituar nga Xhaxhurët jo vetëm brenda Elbasanit por edhe më tej. “Shkëndija” kishte në atë kohë lojtarët më të mirë që luanin edhe në ekipe kryesore; dhe ndeshja mes dy ekipeve do të ishte pak më shumë se një lojë futbolli, pasi Xhaxhurët nuk pranonin të mundeshin aq më tepër në fushën e tyre.

Ja si e kujton Myrteza Allkja këtë ndeshje: “Një ndër ngjarjet më të mëdha ka qenë ndeshja mes Xhaxhurësve dhe Shkëndijës që në atë kohë ishte ndër ekipet më të forta amatore në Shqipëri. Kjo ndjeshje kishte aq shumë interes sa në fushën e vogël kishin zënë vend rreth 5 mijë vetë. Fillimisht pësuam gol dhe u shokuam. Shkëndija kishte lojtar të mirënjohur si Agustin Kola, i madhi Gjoni, Dash Bajaziti,etj. I them Lefterit ik përpara dhe me një krosim nga e majta, (të majtën Lefteri nuk e kishte anën më të fortë), goditi dhe barazuam. I gjithë Elbasani na mbështeti në këtë ndeshje. Për Shkëndijën ishte historike pasi pretendonte fitoren dhe nuk po arrinte më shumë se një barazim. Ndeshjen e mbyllëm tre me tre sepse ata u tërhoqën e nuk donin të vazhdonin më”.

Lefter Hodaj me trofeun që mban emrin e tij
Lefter Hodaj me trofeun që mban emrin e tij

Lefter Hodaj vazhdon të luajë fotboll. Bashkë me djemtë e lagjes, ai vesh bluzën e ekipit të zemrës dhe luan futboll me grintë dhe shpirt gare si dikur. Lefter Hodaj nuk është vetëm një futbollist që nuk ndalet as në moshën 60-vjeçare duke treguar sekretin e tij të rinisë.

I fundit sukses, por jo i vetmi, është Renato Hyshmeri që sot luan me ekipin e Tiranës. Për Hyshmerin, Lefteri është një model që e ka mbështetur kudo. Ndërsa e falenderon për të gjithë mbështetjen, Renato Hyshmeri thotë se po ndjek shembullin e aq shumë futbollistëve që ka nxjerrë kjo lagje. “Lagja jonë e ka pasur dhe e ka shumë pasion futbollin. Edhe unë po ndjek hapat e brezave të shumtë të futbollistëve që ka nxjerrë kjo lagje. Ka qenë një brez që e kanë shumë dashuri për futbollin. Lefteri është një prej shembujve dhe mbështetësve më të mëdhenj të mitë. Ai më ka ndjekur në çdo ndeshje dhe vazhdon të mbështesë një xhaxhurës dhe më ka vënë emrin krenaria e Xhaxhurësve. Ne e kemi legjendën tonë dhe do të mbetet gjithmonë një njeri i dashur e plot pasion si Lefter Hodaj”.

Ekipi i Xhaxhurve sot
Ekipi i Xhaxhurve sot

Xhaxhurët nuk është vetëm një legjendë urbane por një histori pasioni për futbollin që kush më shumë se Lefter Hodaj mund ta përfaqësonte me dëshirën e madhe për të luajtur futboll si një shembull se si komuniteti ku jeton të shndërron në idhull nga përkushtimi, dashuria për futbollin dhe shoqëria e sinqertë që tek Xhaxhurët është mishëruar shumë më tepër se kudo. /tesheshi.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.