Emmanuel Mensah: Dua të provoj veten te Laçi

0
SHPËRNDAJE

Debutimi i tij me Laçin mund të konsiderohet më shumë sesa pozitiv. Në sfidën parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut, Emannuel Mensah tregoi se është një futbollist me shumë cilësi.

Ganezi premton shumë për të ardhmen dhe nga tani dhe deri në fund të sezonit pritet një element shumë i vlefshëm për Laçin dhe mund ta ndihmojë skuadrën kurbinase në arritjen e objektivave sezonalë.

”Për mua ishte shumë e rëndësishme të luaja mirë në ndeshjen time të parë. Mendoj se gjithçka shkoi në rregull, kam ende për t’u përmirësuar por besoj se zhvillova një ndeshje pozitve.

Për fatin tim të keq goli që realizova u anullua nga gjyqtari Kridens Meta, por gjithsesi jam i kënaqur”.

Skënderbeu është skuadra që ka dominuar futbollin shqiptar gjatë 6 viteve të fundit, por Mensah është i mendimit se Laçi mund të luajë si barabartë ndaj të gjitha ekipeve të Kategorisë Superiore.

“Në këtë ndeshje unë nuk pashë shumë diferenca. Skënderbeu mund të jetë ekipi më i mirë në Shqipëri por në sfidën ndaj nesh ata nuk treguan se kishin diferenca të mëdha”.

Sulmuesi në prononcimin e tij për SuperSport shpjegoi arsyet se përse zgjodhi Laçin për të vazhduar karrierën, ndërkohë që theksoi përpara se të transferohej te skuadra e trajnerit Bledar Sinella kishte shumë pak informacion mbi kampionatin shqiptar.

”Më erdhi një ofertë shumë interesante nga Laçi dhe vendosa të vija në Shqipëri për të provuar veten dhe për të treguar vlerat e mia këtu.  Nuk e njoh shumë kampionatin shqiptar.

Kam disa fansa këtu, por dija fare pak për këtë futbollin që luhet në Shqipëri. Tani që jam këtu do të përpiqem ta zbuloj.

Për momentin nuk mund të flas nëse në Shqipëri luhet një kampionat më i fortë se në Sllovaki apo Hungari ku unë kam luajtur më herët, pasi kjo ndaj Skënderbeut ishte vetëm ndeshja ime e parë”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Laçit, Emmanuel Mensah. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.