Epoka De Biazi. Solli plot 78 lojtarë në kombëtare

0
SHPËRNDAJE
loading...

Kombëtarja / Me Gianni De Biasin të larguar nga stoli i Kombëtares është koha për bilance dhe llogari. Përpos atyre sportive në fushë, ku nga 52 ndeshje në krye të kuqezinjve trajneri ka fituar 22 dhe humbi 21, duke shënuar 57 gola, ndërsa u pësuan 54.

Po aq të rëndësishme janë edhe shifrat për punën e bërë prej Dhjetorit 2011, që kanë hedhur bazat e vërteta të skuadrës. Në pesë vjet e gjysmë në krye të Shqipërisë, De Biasi ka grumbulluar në Kombëtare plot 78 futbollistë.

Shifër mbresëlënëse, për një skuadër që në atë periudhë po humbiste shpresat për një të ardhme të suksesshme, pas ndryshimit të brezave. Prej hapave të parë, trajneri pati në dispozicion emra nga ata që kanë lënë gjurmë, si  Lala, Skela e Bogdani, largimet e të cilëve hapën një cikël të ri me protagonistët e së tashmës.

Me emërimin e De Biasit, gjithkush që ishte cilësor dhe mund të luante për fanellën kuqezi ka marrë ftesë. Lojtarë thuajse nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora. Një mision seleksionimi i jashtëzakonshëm që u konkretizuan me shifra rekord.

Në tre vitet e para të punës, ndërsa i testoi të gjithë dhe eksperimentoi për të krijuar grupin që e kualifikoi Shqipërinë për herë të parë në histori në Europian, në përfaqësuese u afruan mbi 60 futbollistë. Vetëm në portë janë provuar 7 emra, mes të cilëve edhe aktualët Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Alban Hoxha e Orges Shehi, me këtë të fundit që do të ketë një të ardhme në stafin teknik.

Në mbrojtje janë testuar 24 futbollistë, ku meritat më të mëdha të De Biasit ishin afrimi i Mavrajt dhe promovimi i Elseid Hysajt. Firot nuk munguan me emra si Amir Rrahmani dhe Loret Sadiku që zgjodhën të përfaqësonin Kosovën, ndërsa të fundit që iu dha një shans ishin Arbnor Fejzullahu i Partizanit dhe Albi Alla që spikati me Kukësin.

33 futbollistë të grumbulluar në mesfushë, ku nuk munguan ata që zhgënjyen, por edhe zhgënjimet për shansin minimal të dhënë, si në rastin e Milot Rashicës. Të shumtë emrat e provuar nga kampionati shqiptar në këtë repart, ndërsa më të fundit që iu shtuan radhëve kuqezi janë Eros Grezda, Liridon Latifi si edhe Afrim Taku dhe kapiteni i Shpresave, 19-vjeçari Keidi Bare.

Mes lojtarëve të grumbulluar në repartin sulmues, nga 14 lojtarë të provuar nga De Biasi, katër prej tyre janë kthyer në element stabël: Sadiku, Balaj, Cikalleshi e Llullaku. Në orbitën e Kombëtares mbeten edhe Edgar Çani e Rey Manaj në varësi të ecurisë së tyre në klube, ndërsa Shkëlzen Gashi ishte mes lojtarëve të lënë jashtë për zgjedhje teknike.

Një ushtri e madhe kuqezi e krijuar nga De Biasi te Shqipëria, me trajnerin që përveç arritjeve historike la pas edhe një trashëgimni të rëndësishme për të ardhmen e skuadrës.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU