Ermir Lenjani gjen më në fund skuadër

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Kombëtarja/ Ermir Lenjani do të jetë sërish pjesë e futbollit zviceran. Mesfushori i Kombëtares shqiptare të futbollit ka gjetur akordin me skuadrën e Sionit.

“Panorama Sport” ka mësuar se në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është zyrtarizuar gjithçka. Tratativat me lojtarin kuqezi kishin nisur prej ditësh dhe dje është arritur akordi që Lenjani të jetë lojtari më i ri që do t’i shtohet Tramezanit në stërvitje.

Gazeta ka zbuluar se shqiptari ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare, me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër. Paraprakisht, mësohet se paga e shqiptarit do të jetë afro 350 mijë euro në sezon. Ermir Lenjani, me eksperiencën që ka, jo vetëm në arenën europiane, por edhe me Kombëtaren, ka bindur Tramexanin që në ditët e para kur ka marrë drejtimin e Sionit.

Ish-zëvendëstrajneri i Kombëtares shqiptare e ka zbuluar mesfushorin për ta marrë në radhët e Shqipërisë disa vite më parë dhe tashmë, që do të jetë në krye të ekipit zviceran, e do shqiptarin si element të shtuar për të arritur objektivat. Lenjani ka mbyllur kontratën e tij me Renen në fund të sezonit që lamë pas, ku drejtuesit e skuadrës e kanë bllokuar atë për një vit, duke mos e lejuar të luante, por as të transferohej në një tjetër skuadër.

Futbollisti kuqezi do të jetë një përforcim i shtuar për Tramezanin, duke qenë se është lojtar anësor që mund të bëjë edhe rolin e mbrojtësit të majtë, por edhe të mesfushorit.

Gjatë këtyre ditëve, pritet që klubi zviceran të bëjë edhe zyrtarizimin dhe prezantimin e tij si lojtarin më të ri. Sioni do të jetë skuadër që do të marrë pjesë edhe në Europa Ligë, ndaj edhe për vetë mesfushorin e Kombëtares do të jetë një mundësi e mirë për të treguar vlerat e tij si futbollist. Tramexani e njeh mirë futbollistin shqiptar dhe mënyrën e tij të lojës, ndaj pritet që shqiptari të ambientohet shpejt me skemat e trajnerit italian

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU