Ernest Gjoka: Jam keqkuptuar, nuk bëjmë aleanca

0
SHPËRNDAJE


Kalimi i javëve nuk është thjesht një garë force në rrugën drejt titullit kampion, por edhe një luftë nervash. Edhe pse mbetet për t’u luajtur thuajse edhe gjysma e kampionatit, në opinion janë hedhur dyshimet për aleanca drejt objektivave sezonalë. Trajneri Ernest Gjoka nuk e fsheh zhgënjimin që deklaratat e dhëna prej tij në përfundim të javës së 20-të janë interpretuar si konfirmim i aleancës së Kukësit me Tiranën.

Ernest Gjoka: Më vjen shumë keq që janë keqinterpretuar dhe njerëzit janë keqinformuar nga fjalët e thëna nga unë. Kukësi është e vetmja skuadër që ka luftuar e vetme, ka sakrifikuar e vetme dhe gjithçka i kemi arritur me luftën dhe sakrificën që kemi bërë. Seriozisht jam shumë i ofenduar, seopse ne dhe ju, po ju them juve sepse jemi të gjithë në të njëjtën punë, mendojmë që ndihmojmë njëri tjetrin në bashkëpunimin reciprok dhe profesional. Nëqoftëse njëra palë e keqpërdor mirëbesimin tim dhe fjalët e mia për ti interpretuar ashtu siç do vetë, atëherë këto dy palë nuk janë profesionale dhe njëra palë nuk është me të vërtetën dhe të drejtën. Jam i ofenduar si profesionalisht, ashtu edhe si qytetar.

Gjoka e cilësoi false zhurmën e krijuar rreth kryesuesve të Kategorisë Superiore, ndërsa konfirmoi angazhimin e Kukësit në të gjithë frontet ku ende mund të fitohen trofe.

Ernest Gjoka: E them me shumë sinqeritet që është një zhurmë false, boshe dhe ndoshta një tentativë për të bërë me patjetër diçka kundër skuadrës tonë. Ne nuk jemi dorëzuar për asgjë. Në mentalitetin e klubit tonë, synojmë çdo trofe ta marrim. Ne luftuam fort edhe për një trofe fare formal siç ishte kupa Pavarësia, sepse këto janë objektivat e Kukësit dhe kjo është kërkesa kryesore e presidentit tonë: që çdo trofe që kemi mundësia ta marrin, duhet ta fitojmë. Ne po luftojmë shumë, për të sjellë në formë edhe lojtarët e dëmtuar, por gjithashtu edhe në aspektin psikologjik që të ecim sa më përpara.

Kukësi luan këtë të shtunë trasfertën me Tiranën, me dy mesfushorët Nijas Lena dhe Edon Hasani që janë të pezulluar me kartonë. Vendin e tyre në mesfushë pritet ta marrin Karioka dhe Dvornekovic, ndërsa në krahun e majtë Eni Imami duket i avantazhuar në balotazhin me Lushtakun, që sapo është rikuperuar nga dëmtimi në kavilje.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.