Fakiç: Ja politika e re e Skënderbeut!

0
SHPËRNDAJE

Me një shqipe shumë të pastër, menaxheri i ri i futbollit Haris Fakiç i ka dhënë këtë intervistë gazetës “Sport Ekspres” pas emërimit si drejtor sportiv i Skënderbeut.

– Haris, mund të na thoni së pari pse vendosët ta pranoni postin e drejtorit sportiv te Skënderbeu?
– Së pari, ju falënderoj që po më intervistoni pas ardhjes sime në Shqipëri. Nuk është hera e parë që mbaj këtë post, pasi vij pas përvojës njëvjeçare me skuadrën maqedonase Teteks. Nuk mund të vija pa eksperiencë. Unë e kam atë dhe pranova të jem drejtor sportiv i ekipit kampion të Shqipërisë.
– Si erdhët te Skënderbeu, a njiheshit më parë me ndonjë drejtues të tij?
– Po, njihesha më parë me presidentin Ardjan Takaj, pasi kam sjellë futbollistë në Shqipëri. Te Skënderbeu kam sjellë për shembull sulmuesin Aco Stojkov, të cilin në Korçë e njohin mjaft mirë. Pas bisedës me presidentin Takaj, e pranova këtë post dhe dolëm në një marrëveshje për të qenë pjesë e klubit. E di shumë mirë që është e vështirë, pasi Skënderbeu është një klub i madh dhe unë punën time duhet ta vijoj me tituj të tjerë kampionë. Për mua ka vlerë të madhe për CV-në dhe duhet ta menaxhoj sa më mirë klubin, që nga moshat e deri tek ekipi i parë.
– Për moshat dhe akademinë e klubit “Skënderbeu”, mund të na thoni diçka më shumë?
– Sigurisht, detyra e parë është të menaxhojmë moshat nga 8 vjeç deri te të rinjtë dhe të nxjerrim sa më shumë talente. Te moshat e Skënderbeut ka disa lojtarë shumë të talentuar. Ju e dini shumë mirë që përpara dy ditësh afruam një supertalent, si Blend Baftiu nga Kosova. Pra, politika jonë si klub është që nga jashtë do të afrojmë vetëm supertalente, ashtu si dhe nga qytete të ndryshme shqiptare, ku ka shumë. Pas pak ditësh do të vijnë edhe të tjerë, jemi vetëm në hapat e para të akademisë.
– Për akademinë flitet se do të jetë vërtet model…
– Po, e tillë do të jetë, për këtë ju premtoj. Gjatë gjithë sezonit 2015-2016 do të shikoni një ndryshim rrënjësor. Janë afërsisht 350 futbollistë në Korçë, që janë bërë pjesë e akademisë. Do të kemi bashkëpunim me disa shkolla private dhe shumë shpejt do të krijojmë kushte optimale në fusha, dhoma zhveshjesh dhe gjithçka tjetër në infrastrukturë, për të parë shumë shpejt një akademi vërtet të madhe. Puna ka nisur dhe gjithë këta futbollistë do t’i shërbejnë Skënderbeut në të ardhmen, pse jo dhe kombëtares.
– Po për ekipin e parë, çfarë mund të na thoni, pasi keni gjetur një ekip me 5 tituj radhazi?
– E theksova edhe më sipër se kam ardhur në një klub super, te një Skënderbe i madh. Po, po, një Skënderbe i madh, që çdo ditë është duke u rritur dhe po merr fytyrën e një klubi europian. Jam menaxher, dhe ky është profesioni im. Kjo do të thotë se edhe te Skënderbeu në janar do të ketë afrime dhe largime, sepse kjo është politika. Te Skënderbeu ju them se kanë mbërritur shumë oferta për momentin, nga skuadra me emër, për lojtarë si Berisha, Latifi, Olayinka, Lilaj, Abazi, Nimaga, Jashanica etj. Mosha e tyre premton shumë, prandaj dhe ekipe të ndryshme janë interesuar shumë.
– Kjo do të thotë që në janar do të largohen të gjithë këta emra?
– Thashë që ne si klub ndjekim një politikë. Mund të largohet një, dy, më shumë, apo edhe të gjithë këta emra, por do të zëvendësohen me të tjerë. E rëndësishme është që niveli i ekipit do të mbetet i njëjti, madje do të jetë në ngritje vazhdimisht, pasi për këtë punë jam këtu si drejtor sportiv.
– Po afrime, do të ketë në merkaton e janarit?
– (Qesh) Po do të ketë, por nuk mund të them emra për momentin, pasi jemi duke punuar në këtë drejtim. Të gjitha do të bëhen publike në momentin e duhur.
– Haris, çfarë premtoni së fundi për të ardhmen e këtij Skënderbeu?
– Premtoj maksimumin tim për këtë klub, që shumë shpejt do të jetë një model i futbollit shqiptar. Ejani dhe shikojeni Skënderbeun pas disa kohësh dhe do të çuditeni vërtet. Klub kampion në të gjitha drejtimet.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.