Feston përsëri Skënderbeu, ndaj Tiranës vendosin Salihi dhe Latifi

0
SHPËRNDAJE

Skënderbeu i është bashkuar përsëri Kukësit në krye të klasifikimit të Kategorisë Superiore falë një fitoreje 2-0 ndaj Tiranës, në një prej 3 “finaleve” të kësaj pjese të parë të sezonit.

Supersfida e luajtur në Korçë, e luftuar që në minutën e parë e deri në të fundit, u ndikua nga një gol i shpejtë i sulmuesit Salihi, i cili gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e 4-t të sfidës, duke i dhënë qetësinë e duhur ekipit të trajnerit Agostinelli që të administronte avantazhin dhe duke gëzuar stafin teknik dhe drejtuesit që prisnin që shkodrani të çlirohej.

Tirana shpërdori disa mundësi të mira për të rivendosur barazinë në shifra gjatë pjesës së dytë, ku u shfaq më kërkuese dhe ndonëse Josa e mbylli ndeshjen me një formacion tërësisht ofensiv, nuk arriti të dërgonte topin në rrjetë. Përkundrazi, u godit nga një kundërzbritje e shpejtë e finalizuar me Latifin që i dha fund diskutimeve për rezultatin përfundimtar të sfidës.

Ndeshja fillon me gol në Korçë, që në të 4-tën. Është Hamdi Salihi, bomberi “në krizë” që gjen golin që i mungonte prej shumë kohësh për t’i dhënë qetësinë vendasve. 1-0.

Tirana mundohet të reagojë dhe në të 8-tën, i afrohet shumë shpejt barazimit më anë të mbrojtësit Domgjoni i cili gjuan me kokë, por godet shtyllën e djathtë pingule të portës së portierit Shehi.

Situata përmbyset shpejtë në anën tjetër të fushës, teksa mesfushori Liridon Latifi që mundohet të kalojë portierin Ilion Lika, por nuk ia del.

Skënderbeu nuk tërhiqet edhe pse në avantazh, duke kërkuar me ngulm një tjetër gol, për të mbyllur sa më parë ndeshjen.

Në të 24-tën, Ndockyt kombinon bukur me Cisse që përpiqet të godasë por bllokohet nga Radas në momentin final, para se të gjuante në kuadratin e portës së portierit Shehi.

Kur po kronometrohej e 32-ta, tjetër goditje për Tiranën. Kërçiku largohet nga fusha e lojës për t’i lënë vendin Acquah, pasi mbrojtësi i djathtë ka pësuar një dëmtim dhe nuk mund të vazhdojë më.

Ndërsa, pas 3 minutash, Radas provon nga goditja e dënimit. Por këtë radhë gjuajtja e mbrojtësit që shquhet për gola të shënuar në këtë mënyrë përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën e portës bardheblu. Më pas lojtari largohet nga fusha e lojës për t’i bërë vend mbrojtësit Tefik Osmani, pasi Agostinelli i druhet një kartoni të verdhë të dytë të qendërmbrojtësit, pasi të parin e mori në të 15-tën.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta rifillon pa zëvendësime të tjera në radhët e dy skuadrave përveç atyre të kryera që në pjesën e parë.

Drithërima e parë në portën e Skënderbeut në pjesën e dytë vjen në të 53-tën, kur Karabeci gjuan nga distanca, por Shehi tregohet i vëmendshëm dhe pret në pozicion.

Pas 3 minutash, traversë e Tiranës. Eshtë përsëri Karabeci që kthehet në rrezikun kryesor për Skënderbeun me një goditje dënimi në hyrje të zonës që trondit traversën e korçarëve pas një devijimi të portierit Shehi që praktikisht shpëton katërkëndorin e tij, ndërsa mbrojtja largon rrezikun.

Në minutat e pjesës së dytë Tirana shfaqet më ngulmuese, në kërkim të golit të barazimit, duke zhvendosur lojën në gjysmëfushën kundërshtare.

Në të 69-tën, Nimaga provon të mbyllë ndeshjen me një gjuajtje nga jashtë zonës me të majtën, por topi përfundon jashtë ngjitur me shtyllën e portierit Ilion Lika.

Eshtë minuta e 78-të dhe Halili ka në këmbët e tij mundësinë për të vendosur barazpeshën në shifra por i gjendur i vetëm përpara portierit Shehi, ndalet nga ndërhyrja e këtij të fundit që i heq topin nga këmbët.

Minuta e 84-të dhe Liridon Latifi vulos golin e sigurisë për Skënderbeun. Pas një aksioni në krahun e djathtë, topi mbërrin në qendër te mesfushori i cili shtyn sferën në rrjetë. 2-0.

Deri në fund, ndeshja nuk ka më histori, me Skënderbeun që merr një 3-pikësh që e rikthen në krye të klasifikimit të Kategorisë Superiore, ndërsa Tirana pas barazimit me Korabin, nuk arriti dot të marrë të paktën një pikë.

Javën e ardhshme, Skënderbeu luan në transfertë me Kukësin, ndërsa Tirana pret në “Selman Stërmasi” Luftëtarin. /minuta90.com/

Skënderbeu-Tirana 2-0

Golat: Salihi 4’, Latifi 84’

Skënderbeu (4-4-2): Shehi, Vangjeli, Radas (Osmani 36’), Jashanica, Mici, Gavazaj (Nimaga 57’), Lilaj (Idrizaj 74’), Malaj, Latifi, Adeniyi, Salihi (në dispozicion: Llapanji, Zeka, Serginho, Fukui) Tr: Andrea Agostinelli

Tirana (4-2-3-1): I. Lika, Kërçiku (Acquah 32’), Teqja, Domgjoni, Hoxhallari, Karabeci, Daja (Ntsitsigui 72’), Taku, Ndockyt, Nkounkou, Cisse (Halili 63’) (në dispozicion: Bakaj, Turtulli, G. Lika, Muzaka, Ntsitsigui) Tr: Mirel Josa

Gjyqtarë: Enea Jorgji

Kartonë të verdhë: Radas 15’, Idrizaj 86’/ Acquah 65’, Karabeci 66’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.