FIFA tregon rrugët që duhet të ndjekë Kosova për anëtarsimin

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka bërë publik të martën rrugëtimin që e pret Kosovën drejt pranimit në këtë asociacion. Por rrugëtimi për pranim në FIFA do të nisë vetëm nëse më parë Federata e Futbollit e Kosovës pranohet në UEFA.

UEFA është konfederata evropiane e futbollit dhe Kosova së pari duhet të pranohet në të, që më pas të pranohet në FIFA, shkruan sot “Koha Ditore”.

FIFA përmes një njoftimi të publikuar të martën pasdite në sajtin e saj ka njoftuar se FFK-ja ka konfirmuar aplikimin për pranim në FIFA, më 15 mars. Në të njëjtën kohë, FFK-ja ka pranuar se mund të pranohet në FIFA vetëm nëse më parë anëtarësohet në UEFA.

FIFA ka njoftuar se si pjesë e procedurave përkatëse, dy organizatat kanë vendosur që të bëjnë një vizitë inspektuese në Kosovë, më 13 e 14 prill. Vizitën do ta bëjnë përfaqësuesit e administratave të FIFA e UEFA-s. Që të procedohet dhe vlerësohet aplikacioni i FFK-së, është krijuar një byro e komitetit të asociacioneve të FIFA-s. Aplikacioni është duke u proceduar nga FIFA së bashku me UEFA-n, që është konfederatë përgjegjëse gjeografikisht.

image“Nëse FFK-ja pranohet si anëtare e UEFA-s, UEFA më pas do të paraqesë një raport final te Komiteti i Asociacioneve të FIFA-s, për diskutim dhe rekomandim. Komiteti i Asociacioneve të FIFA-s më pas gjetjet e tij do t’i prezantojë te Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s. Në fund, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s do të paraqesë kërkesën e Kosovës për pranim, së bashku me një rekomandim që do të pranohet apo do të refuzohet në kongresin e ardhshëm të FIFA-s”, ka njoftuar shtëpia botërore e futbollit.

Kalimi nëpër këto organe pritet të përfundojë para 12 majit, kur nis kongresi i FIFA-s që mbahet në Meksikë, natyrisht nëse vendimi i UEFA-s i 3 majit është pozitiv. Nëse kërkesa kalon në UEFA dhe aplikacioni i FFK-së vlerësohet valid, atëherë për të do të votohet në kongresin e FIFA-s më 13 maj. Pra, 13 maji mund të jetë data e përmbylljes së një procesi që ka nisur që në vitin 1991. /Koha/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.