Flamuratari/ Mbrojtësi Jakovljeviç: Kemi objektiva madhorë, nuk i zhgënjejmë tifozët

0
SHPËRNDAJE

Ivan Jakovljeviç ishte ndër të paktët lojtarë të grupit të vjetshëm që u përfshi në listën e preferuar të trajnerit Shpëtim Duro. Lojtari serb, që ka lindur në Kosovë, nuk e fsheh kënaqësinë që arriti të qëndronte në Vlorë edhe për sezonin e shkuar.

Jakovljeviç në një prononcim për “Panorama Sport” shprehet se do të japë maksimumin për të justifikuar besimin që trajneri dhe stafi teknik i kanë dhënë për të
qëndruar.

“Jam shumë i lumtur që u përfshiva në planet e trajnerit dhe do të jem pjesë e ekipit
edhe për një sezon. Jemi disa lojtarë nga grupi aktual i lojtarëve që kemi qëndruar. Kjo gjë është një vlerësim që mua më bëhet dhe do të punoj që ta shpërblej
me përkushtim. Do të jap maksimumin tim për të arritur objektivat
e klubit”, tha fillimisht mbrojtësi serb.

OBJEKTIVI – Ivan Jakovljeviç shprehet se ky Flamurtar i ka të gjitha mundësitë për të ecur sa më shumë dhe për objektiva madhorë.

Mbrojtësi thekson se Flamurtari i ekipit të ri do të jetë mes pretendentëve kryesorë.

“Jam shumë i bindur se me këtë grup lojtarësh do të arrijmë shumë, do të shkojmë sa më lart. Pasi mbyllëm një sezon jo të mirë dhe me frikën e rrëzimit nga kategoria, tani
do të punojmë për të realizuar objektivat e sezonit të ri. Të gjithë jemi të bindur se do të bëjmë mirë dhe do të jemi ndër ekipet më të mira dhe pretendente të sezonit të ri.

Pjesëmarrja në Kupat e Europës do të jetë ndër objektivat kryesore, por do të jemi pretendentë edhe për kompeticionet e tjera”, shprehet Jakovljeviç.

PËRGATITJET – Ivan Jakovljeviç ndalet edhe te përgatitjet në Mavrovë. Sipas mbrojtësit, ato janë duke ecur mjaft mirë.

“Ne jemi duke u përgatitur mjaft mirë në këtë fazë përgatitore që po zhvillojmë këtu
në Maqedoni. Kushtet janë shumë të mira. Po ashtu grupi i lojtarëve po ambientohet. Po e ndiejmë veten të afërt me njëri-tjetrin”, përfundon mbrojtësi.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.