Flamurtari bën festë, Skënderbeu gjunjëzohet në Vlorë

0
SHPËRNDAJE

Skënderbeu mundet sërish, kësaj here nga Flamurtari. Në javën e dhjetë të Kategorisë Superiore, kampionët në fuqi të Shqipërisë pësojnë disfatën e radhës duke u mposhtur 2-0 në Vlorë.

Gjithçka u vendos që në pjesën e parë me golat e mesfushorit Donjet Shkodra dhe sulmuesit Tomislav Busiç, ndërsa korçarët ishin të pafuqishëm për të reaguar.

Kjo disfatë, e dyta në katër ndeshjet e fundit, e fut zyrtarisht ekipin korçar në krizë. Ky ishte takimi i tretë radhazi që “Ujqërit e dëborës” nuk shënojnë, ndërsa nuk ndodhte prej periudhës janar-shkurt 2010 që skuadra bardhëkuqe nuk fiton në katër ndeshje rresht.

Takimi nis i shpejtë, ku që në të 2-tën, korçarët shfaqen menjëherë të rrezikshëm. Agim Zeka nxjerr një pasim të artë për Nimagën, i cili gjuan në zonë, por Halili i mohon golin e sigurt.

Loja është me ritëm, me të dyja skuadrat që përpiqen të shfrytëzojnë gabimet e njëra-tjetrës, me Skënderbeun që provon të marrë në dorë frenat e lojës.

Në të 8-tën, Jashanica tenton me të majtën nga kufijtë e zonës, por gjuajtja e mbrojtësit ndalet nga Busiç që në nisje.

Menjëherë pas këtij aksioni, Flamurtari kalon në avantazh. Një aksion i shpejtë i vlonjatëve, me sulmuesin Danilo Alves që fiton hapësirë në të djathtë. Sulmuesi “shpik” një asist për mesfushorin Donjet Shkodra, i cili, i vetëm në zonë, nuk fal. Goli i pestë për mesfushorin dhe i dyti në portën e Skënderbeut.

Pas 60 sekondash, Flamurtari është pranë golit të dytë. Danilo Alves gjuan nga jashtë zonës, por Shehi zgjatet dhe e devijon topin në goditje nga këndi. Vlonjatët janë të papërmbajtshëm.

Minuta e 13-të dhe tjetër rast për Alves, i cili “djeg” në dyluftim Radasin dhe futet në zonë, por aty vonohet dhe portieri Shehi e bllokon në dalje.

As një minutë nuk kronometrohet dhe një mundësi e mirë për Skënderbeun. Liridon Latifi depërton me shpejtësi në zonë dhe pason, por Veliu në rrëshqitje largon topin jashtë.

Në të 18-tën, korçarët janë përsëri pranë barazimit. Lilaj hedh një krosim nga e djathta dhe Nimaga krejtësisht i lirë në zonë gjuan me kokë, por në mënyrë të pabesueshme topi shkon jashtë.

Kur po kronometrohej e 24-ta, Latifi lihet i lirë në zonë dhe përfiton duke lëshuar një të djathtë diagonale, e cila megjithatë nuk gjen portën.

Pas fillimit të shpejtë, loja bie disi në qetësi. Skënderbeu përpiqet të ulë vrullin e vendasve, të cilët luajnë më me kujdes pas avantazhit.

Në të 31-tën, Marko Radas provon me një goditje dënimi pranë zonës, por e djathta e mbrojtësit kroat shkon jashtë, por asnjë rrezik për portieri Halili.

Vjen minuta e 35-të dhe Milos Rniç për pak sa nuk i bën Skënderbeut një dhuratë, me një top të kthyer te Halili. Gjithsesi, portieri vlonjat tregohet i vëmendshëm dhe largon topin para se Salihi të përfitonte.

Në të 37-tën, Flamurtari thellon epërsinë me Tomislav Busiç. Sulmuesi merr një krosim të saktë nga Balsa Radoviç dhe me kokë mposht Shehin pasi fiton dyluftimin në ajër me Radasin. Vlonjatët shpërthejnë në festë.

Në fundin e pjesës së parë, pikërisht në të 44-tën, korçarët këmbëngulin pas një aksioni të gjatë, duke përfituar edhe nga një hezitim i mbrojtjes vlonjate. Sidoqoftë, topi i mbetur dy hapa larg portës nuk shfrytëzohet siç duhet nga Salihi, i cili gjuan dobët në duart e Argent Halilit.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me Skënderbeun që freskon sulmin me dy lojtarë.

Nimaga i lë vendin mesfushorit me tipare sulmuese, Serginho dhe James Adeniyi aktivizohet në vend të të riut, Agim Zeka.

Miqtë nga Korça përpiqen të zhvendosin lojën në gjysmëfushën vlonjate, por gjejnë përballë një kundërshtar të kujdesshëm e të vendosur mirë prapa.

Në të 54-tën, Latifi nxjerr një pasim të shkurtër vertikal për Adeniyi. Sulmuesi përpiqet të rrotullohet për të gjuajtur, por Halili del dhe e bllokon në zonë.

Eshtë minuta e 65-të, kur një kombinim i bukur Adeniyi-Salihi-Latifi, me këtë të fundit që gjuan nga zona, por është i pasaktë. Asnjë shqetësim për Halilin.

Flamurtarin mbrohet me shumë qetësi dhe Skënderbeu nuk ka forcë për të kërcënuar.

Në të 77-tën, Flamurtari del përpara me një aksion të shpejtë. Një krosim i lartë nga këndi që kontrollohet nga Shehi, i cili e bën të vetin topin para Danilo Alves që po vinte kërcënueshëm.

Topi kalon tek porta tjetër, ku Adeniyi vertikalizon bukur për Latifin, por Halili del me shpejtësi dhe kontrollon topin.

Si Mezani, ashtu edhe Agostinelli, bëjnë zëvëndësimet e tyre, ku aktivizohet Fazliu për Flamurtarin dhe Fukui për Skënderbeun.

Në të 83-tën, Radas provon sërish të djathtën e tij, por gjuajtja e mbrojtësit, edhe pse e fortë, është qendrore dhe Halili e grushton.

Në të 91-tën, zbritje e shpejtë e Flamurtarit, me Rniç që nxjerr të lirë Galiç, i cili, megjithatë, kapet në pozicion jashtë loje. Skënderbeu duket i dorëzuar, ndërsa Flamurtari bëhet gati për festë.

Përpjekjet e fundit të Skënderbeut nuk japin rezultat dhe Flamurtari fiton 2-0. Vlonjatët dalin shumë të kënaqur nga ky takim, ndërsa korçarët jo edhe aq, kur pritet edhe shkarkimi i trajnerit Andrea Agostinelli.

Fitorja e ngjit Flamurtarin përkohësisht në vendin e pestë me 12 pikë, kurse Skënderbeu mbetet me 20 dhe mund të barazohet në krye nga Kukësi nëse verilindorët mundin nesër Vllazninë.

Javën e ardhshme, Flamurtari luan në transfertë me Luftëtarin, ndërsa Skënderbeu pret në shtëpi Korabin. /minuta90.com/

Flamurtari-Skënderbeu 2-0

Golat: Shkodra 9’, Busiç 37’

Flamurtari: Halili, Beqaj, Berisha (Shehaj 66’), Veliu, Rniç, Radoviç (Galiç 86’), Shkodra (Fazliu 79’), Kuqi, Zeqiri, Busiç, Alves (në dispozicion: Frashëri, Hoxhaj, Marku, Dushku) Tr: Gentian Mezani

Skënderbeu: Shehi, Idrizaj, Radas, Jashanica, Mici, Nimaga (Serginho 46’), Orelesi (Fukui 78’), Lilaj, Zeka (Adeniyi 46’), Latifi, Salihi Tr: Andrea Agostinelli

Gjyqtarë: Lorenc Jemini

Kartonë të verdhë: Radoviç 43’/ Serginho 90’+2

S'KA KOMENTE

Comments are closed.