Flamurtari / Duro tenton afrimin e një njohjeje të vjetër

0
SHPËRNDAJE

Superiorja / Me vorbullën e pagesave të prapambetura që vazhdon dhe rrezikun aktual që Flamurtari ta nisë sezonin e ri me -6 pikë prej borxhit ndaj ish-trajnerit Ernest Gjoka, në Vlorë ka një siguri: Kuqezinjtë mbeten skuadra shqiptare më aktive në merkato. Flamurtari nuk ngopet dhe pas afrimeve të dhjetë futbollistëve të rinj, tenton një tjetër goditje të madhe. Objektivi është Elis Bakaj. Një lojtar i afirmuar në kampionatin shqiptar, që është edhe një njohje e vjetër e trajnerit Shpëtim Duro, nga Kombëtarja shqiptare te Partizani.

Raundi i parë i bisedimeve është zhvilluar me një takim të Bakajt me teknikun e vlonjatëve, i cili po synon të ndërtojë një skuadër, që gjatë edicionit të ardhshëm do të rivalizojë me Kukësin, Partizanin dhe Skënderbeun. Në negociatat paraprake, trajneri Duro i shprehu sulmuesit interesin që ka ketë në skuadër. Transferimi në Vlorë do të ishte i pëlqyeshëm edhe nga 30-vjeçari, por ngërçi lidhet me shifrat financiare. Flamurtari i ofron Elis Bakajt 50 mijë euro në sezon, ndërsa në anën tjetër lojtari synon që nga transferimi të përfitojë 70 mijë Euro. Diferenca është e konsiderueshme, ndërsa pretendimet e sulmuesit do t’i transmetohen administratorit të klubit, Sinan Idrizi. Negociatat nuk janë të lehta, edhe sepse futbollisti është shprehur që ka edhe dy oferta nga jashtë Shqipërisë dhe nuk mendon që të pranojë një ofertë më të ulët.

Në ditët në vazhdim pritet të ketë zhvillime të reja rreth kësaj çështje, sepse pas bisedës paraprake pritet që brenda kësaj jave të merret një vendim përfundimtar nëse transferimi i Bakajt te Flamurtari do të realizohet.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.