Flamurtari fiton me goleadë…. fiton edhe 2 penallti në 1 ndeshje

0
SHPËRNDAJE

Ndeshja e Cërrikut mes Turbinës dhe Flamurtarit ishte ajo që solli më shumë gola në xhiron e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Turbina është mundur thellësisht, 1-6, në fushën e vet nga Flamurtari dhe kuptohet nga vetë rezultati se çfarë diference kanë pasur dy skuadrat.

Në fakt, asnjë nga skuadrat nuk luajti me formacionin më të mirë në këtë ndeshje, duke menduar njëkohësisht edhe për kampionatin. Flamurtari ishte shumë më lart dhe ka shënuar plot 6 herë në portën e Demollarit, duke e siguruar që në këtë 90-minutësh kalimin në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e kthimit në Vlorë do të jetë formale.

Vetëm 17 minuta rezistojnë cërrikasit, pasi pikërisht në këtë moment vlonjatët fitojnë një 11-metërsh, që ekzekutohet saktë nga Lejdi Liçaj. Përpiqet Turbina të bëjë diçka të mirë në këtë ndeshje dhe të barazojë rezultatin, por nuk ka forcë dhe në minutën e 30-të Flamurtari dyfishon me afrikanin Kamara. Më pas është radha e afrikanit tjetër, Tungara, që të shënojë në portën e Demollarit. Flamurtari dominon totalisht në lojë dhe në dhomat e zhveshjes shkon me qetësinë e avantazhit të trefishtë.
Ky avantazh i jep trajnerit Shpëtim Duron mundësinë që të kursejë në pjesën e dytë tre lojtarë. Ai bën të tre zëvendësimet e mundshme, duke lënë në dhomat e zhveshjes mbrojtësin Jakovljeviç dhe mesfushorët Sidibe dhe Liçaj, për të hedhur në fushë të rinjtë Tushi dhe Maze, por edhe sulmuesin Ardit Hoxhaj. Vazhdon e njëjta muzikë, por në minutën e 60-të Dollani shënon golin e nderit për Turbinën. Flamurtari e ul disi tempin e lojës, por gjithsesi arrin të shënojë edhe tre gola të tjera në këtë pjesë. Në minutën e 73-të është Hyseni, i cili shënon golin e 4-t, kurse në të 82-ën ka një tjetër penallti për Flamurtarin. Hoxhaj godet saktë nga pika e bardhë dhe 1-5, por ka kohë edhe për një gol tjetër pas 2 minutash, kur Tungara vulos rezultatin në 1-6. Fitore e thellë e Flamurtarit, që njëkohësisht ka bërë edhe nxemjen para ndeshjes së kampionatit me Luftëtarin. Golat e shumtë u vlejnë vlonjatëve edhe për anën morale.

E mërkurë, 29 nëntor 2017, ora 14:00, stadiumi Nexhip Trungu, Cërrik

Turbina – Flamurtari 1-6
Shënues: Dollani 60′ / Liçaj 17’(11-metërsh), Kamara 30′, Tungara 39′, 84′, Hyseni 73′, Hoxhaj 82′(11-metërsh)

Turbina: Demollari, Peqini, Sina, Shkreta (Bakiu 46′), Cami, Doka, Doda (Sallaku 55′), Gërxho, Qorri (Agalliu 61′), Tektash, Dollani. Të gatshëm: Malaj, Bajrami, Taulla, Daci.
Trajner: S.Bardhi.
Flamurtari: Sali, Tungara, Mersini, Jokovljeviç (Hoxhaj 46′), Kamara, Sidibe (Tushi 46′), Deliaj, Liçaj (Maze 46′), Siljanovski, Hyseni, Neziraj. Të gatshëm: Nurkoviç, Pollozhani, Bicaj, Musta. Trajner: Sh.Duro.
Gjyqtarë: O.Kuka, N.Bregasi, A.Koçiaj (Tiranë)
Gjyqtar i 4-t: A.Koçi (Durrës)
Vëzhgues: M.Allkja (Elbasan)
Delegat: I.File (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Shkreta 16′, Sina 81′

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU