Flamurtari/ Lojtarët marrin rrogat. Edhe dhjetorin paradhënie…

0
SHPËRNDAJE

Lojtarët kanë marrë pagat ditët e fundit, madje edhe atë të muajit dhjetor, duke u shlyer financiarisht për këtë vit kalendarik

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, njihet për iniciativat e tij të guximshme, për vendime që askush nuk i pret. As vetë ekipi i tij. Para pak ditësh mësohet se lojtarët dhe pjesëtarët e stafit teknik kanë marrë pagat për muajt e fundit, duke qenë të likuiduar financiarisht deri në fund të këtij viti, pra brenda përfshihet edhe paga e dhjetorit. E ka bërë edhe një herë më parë këtë gjë drejtuesi kryesor i klubit kuqezi. Këtë sezon sigurisht që kishte një arsye të fortë për të vepruar kështu, pasi skuadra ka pasur një ecuri vërtet të mirë në kampionat, duke mbajtur aktualisht vendin e tretë. Disa herë kreu i klubit vlonjat e ka pranuar se Flamurtari i këtij sezoni është më i miri që kur ai e drejton këtë ekip, ndaj dhe ka bërë likuidimin financiar, duke dhënë edhe një pagë paradhënie.

Nga sa mësohet, kalimi i pagave është bërë para ndeshjes me Teutën, megjithatë Flamurtari nuk mundi ta fitonte atë ndeshje dhe humbi një vend në tabelën e klasifikimit. E rëndësishme është që futbollistët janë të qetë për sa i takon anës financiare, madje janë më mirë se çdo skuadër, pasi nuk bëhet fjalë që në kampionatin shqiptar të jepen paga paradhënie. Mbetet në dorë të skuadrës kuqezi që të ruajë ecurinë e saj pozitive, pse jo dhe ta përmirësojë atë. Kujtojmë që vitet e fundit te Flamurtari ka pasur probleme me financat, por për çështje burokratike, që kanë të bëjnë me statusin e klubit vlonjat, pasi çdo veprim financiar bëhet nëpërmjet bankave, sipas ligjit.

Teuta-Flamurtari

S'KA KOMENTE

Comments are closed.