Flamurtari në telashe, ashtu si Tirana rrezikon penalizimin

0
SHPËRNDAJE


Klubi i Flamurtarit vazhdon të ketë probleme me shlyerjen e lojtarëve që kanë fituar gjyqet. Një prej tyre është edhe mbrojtësi Polizoi Arbri, i cili ka përfituar 20 mijë euro në bazë të kontratës që kishte me vlonjatët. Në bazë të një marrëveshjeje që ai dhe dy lojtarë të tjerë kanë bërë vitin e shkuar në FSHF, u shlye një pjesë e pagesës dhe pjesa e mbetur do të jepej brenda datës 13 janar.

Një zgjidhje e tillë u realizua që skuadra e Flamurtarit të mos penalizohej më me pikë. Por, në një prononcim për “Panorama Sport”, Arbri ka bërë me dije se ende nuk është paguar nga ana e klubit, edhe pse të gjitha afatet kanë kaluar, madje ai është treguar edhe tolerant në këtë drejtim.

“Flamurtari ka kaluar nga afatet, pasi ka qenë data 13 janar që duhet të më paguanin dhe klubi vlonjat ende nuk m’i ka shlyer detyrimet. Bëmë një marrëveshje mes FSHF-së dhe klubit, që klubi të na jepte një pjesë të pagesave dhe pjesën tjetër do të na i shlyente në bazë të një marrëveshjeje më vonë”, ka thënë futbollisti që u bë pjesë e Kukësit, por aktualisht është në fazë rikuperimi pas një dëmtimi të rëndë që ka pësuar.

Shkresat

Në vazhdim të deklaratës së tij, Arbri bën me dije se është përpjekur të kontaktojë me drejtuesin e klubit, Ardi Behari, por nga ky i fundit ka pasur indiferencë totale.

“Kam telefonuar Ardi Beharin dhe nuk më është përgjigjur. I kam shkruar edhe mesazhe dhe nuk më ka kthyer përgjigje. Ia kam shtyrë edhe një javë afatin, pasi ma kanë kërkuar një gjë të tillë, duke qenë se klubi ishte në Turqi dhe e kam toleruar edhe këtë. Problemi është se u mbyll muaji e nuk po shlyhem ende. Nuk kam asgjë personale me administratorin Idrizi, por dua atë që më takon”, tha Arbri që bën me dije gjithashtu se ka lajmëruar edhe FSHF-në për vonesën që i është shkaktuar.

“Unë kam bërë edhe kërkesë zyrtare si në klubin e Flamurtarit edhe në FSHF, duke i vënë në dijeni që nuk jam paguar ende. Unë vazhdoj të jem në pritje të pagesës nga ana e klubit”, ka mbyllur Arbri. Në ditët në vijim pritet edhe reagimi i FSHF-së, e cila ka qenë ndërmjetëse në arritjen e akordit mes lojtarit dhe klubit.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.