Flamurtari pret Apelin, tifozët kanë gati planin

0
SHPËRNDAJE

 

Prej të hënës është dorëzuar dosja në FSHF dhe në Vlorë janë të bindur se dënimi me katër ndeshje është i ekzagjeruar dhe i parregullt. Gjithsesi ekipit nuk do i mungojë mbështetja

Elton Nika

Flamurtari apelon dënimin prej katër javësh për të luajtur pa tifozë në stadiumin e vet. Pas takimit të fituar ndaj Kamzës  në Vlorë, Komisioni i Disiplinës dënoi ekipin vlonjat me katër ndeshje pa spektatorë në stadiumin e vet për shkak të një parulle të shpalosur nga tifozët, por që në fakt nuk kishte asnjë lloj diskriminimi. Megjithatë, pavarësisht këtij fakti Komisioni i Disiplinës mori vendimin për këtë dënim, çka solli menjëherë edhe reagimin e klubit vlonjat, që përmes një deklarate në faqen zyrtare vuri në dukje se dënimi ndaj klubit nuk bazohej në asnjë rregullore të vetë institucionit më të lartë të futbollit në Shqipëri. Por “Sport Ekspres” mëson se klubi kuq e zi nuk ka qëndruar në vendnumëro, por tashmë ka apeluar dënimin edhe në rrugë zyrtare. Një dosje e plotë me të gjithë dokumentacionin përkatës është dorëzuar pranë Komisionit të Apelit në FSHF, aty ku klubi i Flamurtarit kërkon rishikimin e dënimit. Dosja e klubit vlonjat është dorëzuar në FSHF prej ditës së hënë, me qëllimin që të kërkojë nga Komisioni i Apelit se dënimi i dhënë për katër ndeshje nuk është i saktë dhe dënon jo vetëm një pjesë të tifozërisë, por të gjithë qytetin e Vlorës. Burime nga klubi vlonjat kanë saktësuar për “Sport Ekspres” se gjatë gjithë kësaj kohe është përpiluar dokumentacioni i saktë dhe bazuar në rregullore, me të gjitha detajet ligjore të nevojshme, për të treguar dhe saktësuar në rrugë ligjore se dënimi ndaj klubit padyshim që duhet rishikuar. Po këto burime kanë saktësuar se janë tashmë në pritje të mbledhjes së Komisionit të Apelit. Bazuar në dokumentacionin e dorëzuar dhe duke shfletuar e parë të gjithë rregulloren, në klubin vlonjat tashmë janë plotësisht të bindur se dënimi me katër ndeshje është plotësisht i ekzagjeruar dhe pritet vendimi i Apelit për të mësuar sa ndeshje Flamurtari do të luajë pa tifozë. Aktualisht klubi dhe skuadra janë dënuar me katër ndeshje pa tifozë në stadiumin e qytetit të Vlorës, duke bërë që dy takimet e rëndësishme në kampionat përballë Kukësit dhe Skënderbeut të luhen pa praninë e tifozëve në shkallët e stadiumit.

PËRGATITJET E TIFOZËVE

Sportdashësit vlonjatë kanë gati surprizën në mbështetje të skuadrës për takimin me Kukësin. Pavarësisht faktit se takimi luhet pa tifozë, tifozët vlonjatë pritet të jenë të organizuar në ambientet përreth stadiumit, me qëllim mbështetjen e skuadrës, në mënyrë që lojtarët në fushë të mos e ndjejnë aspak mungesën e tyre në shkallët e stadiumit. Tifozët janë duke përgatitur edhe dekorin për këtë qëllim, ku nuk do të mungojë edhe mbështetja e tyre. Ata janë duke programuar tashmë gjithçka pavarësisht faktit se ndeshja do të luhet ditën e diel dhe me shumë mundësi do të vendosen në pallatet përreth stadiumit, për të mbështetur sa më shumë skuadrën në takimin kundër Kukësit.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.