Flamurtari – Skënderbeu, blindohet Vlora

0
SHPËRNDAJE

Superiorja / Masa të rrepta sigurie për Flamurtari-Skënderbeu. Takimi që do të luhet të hënën pritet që të blindojë qytetin. Forca speciale jo vetëm nga Vlora, por edhe nga Tirana e Fieri do të rrethojnë stadiumin, si brenda, ashtu edhe jashtë. “Panorama Sport” zbardh planin e masave që policia do të vendosë në zbatim për këtë përballje.

Veç Policisë së qarkut të Vlorë dhe komisariatit të qytetit bregdetar, forcat e rendit pritet që të vijnë edhe nga Fieri, por prezente në stadium do të jenë edhe Forcat Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë. Mësohet se do të jenë gati 250 forca policie, të cilat do të jenë të hënën në stadium.

Konfirmohet se 5 grupe pritet të jenë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, pra rreth 60 forca policie do të jenë në FNSH, ndërsa një numër i konsiderueshëm oficerësh civilë do të jenë brenda dhe jashtë stadiumit, si dhe mes tifozëve. Mësohet se në vëzhgim do të mbahen personat problematikë dhe grupimet ultrase. Gjithashtu, do të ketë kontrolle të rrepta, ku policia do të “skanojë” fizikisht tifozët.

PROBLEMATIKA

Rivaliteti mes dy tifozërive (asaj vlonjate dhe korçare) ka detyruar policinë që të marrë këto masa të ashpra. E shkuara rezervon mjaft situata përplasjesh dhe tensioni në tribuna, madje deri para disa vitesh ky duel cilësohej si “derbi i Shqipërisë”, për shkak të luftës sportive që kishin për kreun e renditjes.

Është parë e udhës që Vlora të jetë në “shtetrrethim” për të evituar ngjarjet e pakëndshme. Por nuk është vetëm ky motivi, pasi thirrjet e vazhdueshme të tifozëve kuqezinj për krizën që po kalon klubi dhe reagimi i Bashkisë Vlorë ka “trembur” policinë. Parashikohet që interesi të jetë i madh për këtë takim, ndaj dashur pa dashur edhe numri i “xhaketave blu” do të jetë më i lartë se në ndeshje të zakonshme.

ULTIMATUMI

Edhe 11 ditë kanë mbetur nga skadimi i afatit që FSHF-ja i ka vendosur klubit vlonjat për të paguar ish-trajnerin Ernest Gjoka. Shkresa ka mbërritur në zyrat e kuqezinjve që më 28 mars dhe sipas llogaritjeve, 17 prilli është data e fundit që drejtuesit kanë për të mbyllur këtë borxh.

“Qeveria” e futbollit shqiptar i ka lënë vetëm 21 ditë kohë Flamurtarit për të shlyer 45 mijë eurot ndaj Gjokës, por administratori Sinan Idrizi është shprehur i vendosur për të mos paguar asnjë qindarkë. Kreu i klubit ka kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak, por deri më tani nuk ka ende një datë për këtë mbledhje.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU