Flamurtarit nuk do t’i hiqen 6 pikët nga FSHF

0
SHPËRNDAJE

Federata Shqiptare e Futbollit nuk do t’i heqë Flamurtarit 6 pikë nga renditja e Superligës, edhe nëse nuk paguan detyrimet e prapambetura. Presidenti Armando Duka po mendon për një plan alternativ.

Ultimatumi është i ashpër, por duket se deri më tani nuk ka vepruar. Federata Shqiptare e Futbollit nuk pritet t’i heqë Flamurtarit pikët nga renditja e Superligës, nëse nuk paguhen ato që quhen detyrime të prapambetura.

Afati i fundit ishte dje dhe sipas rregullores, vlonjatët rrezikonin që t’u hiqen 6 pikë nga renditja. Klubi vlonjat ka deklaruar fort se nuk ka ndërmend të paguajë ato që i quan borxhe të padrejta, ndërsa burime të sigurta të minuta90.com nga FSHF pohojnë se pritet të gjendet një zgjidhje e mesme.

Drejtuesit e futbollit shqiptar nuk kanë dëshirë t’ia zbresin pikët Flamurtarit për shkak se i tremben dëmtimit të garës në kampionat, sidomos në një fazë kaq të hershme të sezonit.

Zgjidhja e menduar është shlyerja nga ana e saj e trajnerit Gjoka, dhe futbollistëve Veliu, Arbri dhe Sakaj. Kjo pritet të bëhet nga fondet që i përkasin Flamurtarit nga pjesëmarrja e mëparshme në Kupat e Europës dhe, që sipas rregullave të UEFA-s, kalohen fillimisht në fondet e Federatës. Mësohet se vetë presidenti Duka i ka këshilluar, që të mos bëjnë deklarata për mediat dhe të mos nxitohen.

Gjithsesi, përplasja mes Federatës dhe Flamurtarit pritet të jetë e ashpër. Presidenti Idrizi ka deklaruar se i detyrimet që i kërkohen i quan të paligjshme. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.