Flasin statistikat, Mërgim Mavraj i pakalueshëm në Gjermani

0
SHPËRNDAJE
Loading...

I jashtëzakonshëm! Mërgim Mavraj ka fituar vëmendjen e të gjithëve në Gjermani. Mbrojtësi i Këlnit ka arritur që të imponohet me paraqitjet e tij dhe me sigurinë që i ka ofruar skuadrës falë ndërhyrjeve, pasimeve që jep, si dhe dueleve që fiton përballë kundërshtarëve.

mavraj levandovski

Statistikat

Sa u përket bllokimeve që u ka bërë kundërshtarëve, shqiptari është i pari në renditje. Mërgim Mavraj ka bërë 13 të sakta, më shumë sesa cilido prej rivalëve të tij në Bundesligë, kur bëhet fjalë për bllokim të rasteve të pastra për shënim. Mbrojtësi kuqezi është gjithashtu i pari sa u përket “pastrimeve” sipas “effzeh.com”.

Sa herë ka një situatë të paqartë në zonë dhe kur mbrojtësit janë në rrezik për veprimet që kryejnë, pasi sulmuesit kundërshtarë kanë rast për të shënuar, kërkohet patjetër një “pastrim” i zonës nga futbollisti që mbron. Qendërmbrojtësi i Këlnit ka ditur të zgjidhë saktë 70 situata të tilla, ndërkohë që mbrojtësi i Lajpcigut, Orban, ka zgjidhur tre më shumë sesa shqiptari.

mavraj aubamejang

Në lidhje me gabimet në zonën e rreptësisë, mbrojtësi i Kombëtares qëndron sërish në krye të statistikave, pasi nuk numërohet asnjë gabim fatal prej tij. Sipas numrave, Këlni nuk ka pësuar asnjë gol për faj të futbollistit shqiptar.

Gjithashtu, shqiptari ka treguar edhe një veçori mjaft pozitive në fazën sulmuese. Pavarësisht se është lojtari i fundit mbrojtës i Këlnit, Mavraj vlerësohet mjaft mirë sa u përket tentativave të ekipit për të sulmuar. Qendërmbrojtësi kuqezi nuk ka humbur asnjë prej pasimeve kur ka tentuar që të nxjerrë ekipin e tij në sulm. Futbollisti i Kombëtares renditet i dyti sa u përket pasimeve që shtyjnë ekipin përpara, me 493 të tillë, ndërkohë që i pari numëron 500 pasime të sakta.

Futbollisti i Këlnit është i dyti edhe në një statistikë tjetër. Ai ka fituar 16 faulle, ndërkohë që më mirë se ai në këtë aspekt ka bërë Hubn i Hofenhaimit me 19.

mavraj

Mavraj, më mirë se Humels në votimin elektronik

Çdo kampionat nxjerr një fitues dhe disa skuadra që arrijnë të përfitojnë mundësinë për të marrë pjesë në ligat e Europës në fund të sezonit. Mirëpo, tashmë që është fundi i fazës së parë të kampionateve, është koha për të bërë llogaritë për gjysmën e parë të këtij sezoni.

Në faqen zyrtare të Bundesligës gjermane është hapur një sondazh ku sportdashësit mund të votojnë për futbollistët e preferuar në mënyrë që të përzgjidhen në 11-shin më të mirë të pjesës së parë të këtij edicioni. Sipas votave elektronike momentale, mbrojtësi shqiptar është votuar disa herë më shumë edhe sesa Mats Humels. Mavraj ka marrë rreth 500 vota, ndërkohë që Gjermania rreth 150.

Në lidhje me përqindjet, shqiptari ka arritur të fitojë rreth 50% të votave për një vend në formacionin më të mirë të gjysmës së parë të vitit në Bundesligën e Parë gjermane. Është ende herët për të treguar me siguri të plotë nëse do ta fitojë një vend të tillë, pasi ky votim do të zgjasë deri më 31 janar të vitit 2017. Gjithsesi, shifrat e para të këtij sondazhi janë një tregues pozitiv i vlerësimit të sportdashësve për qendërmbrojtësin kuqezi.

mavraj ibishevic

Rinovimi

Paraqitjet e treguara i kanë vënë nën presion drejtuesit e Këlnit, sa i përket rinovimit të kontratës me shqiptarin, të cilit i përfundon qëndrimi në verën e vitit 2017. Sipas deklaratës së Mavrajt disa javë më parë, bisedimet kanë nisur prej kohësh dhe janë në rrugën e duhur./Panorama Sport

OLSI TUJANI

S'KA KOMENTE

Comments are closed.