Flet legjenda Ylli Shehu: Arbitrat po luajnë me djersën e skuadrave të veçanta

0
SHPËRNDAJE

Ish-lojtari i njohur i Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare të futbollit, Ylli Shehu i ka bërë përmbledhje kampionatit shqiptar. Në një intervistë për SuperSport, Shehu ka folur në lidhje me pretentendët për titull, por edhe për gabimet e arbitrave që sipas tij janë të shumta. Ja intervista e dhënë nga Ylli Shehu:

“Partizanin e shikoj konkurrent dinjitoz për titull, referuar ecurisë së dy fazave të para. Kukësi kryeson për momentin, por besoj se do ta ketë të vështirë ta ruajë ritmin deri në fund. Skënderbeu ka pasur shumë oshilacione deri më tani, në këtë kampionat.

Pretendentët në Superiore: “Në ndeshjet në transfertë dhe përballjet me skuadrat e forta tregoi se nuk është më Skënderbeu i mëparshëm, të cilin vështrirë ta mundje. Tirana, mendoj se ka nxjerrë mësimet e veta dhe i duhet merkato për të arritur objektivat që ka. Largimi i disa lojtarëve te Skënderbeu, si duket i nxori në pah vlerat e tyre, se kishin qenë pjesa bazë e ekipit. Mundësitë dhe dijet i kanë drejtuesit e klubit korçar, ndaj merkatoja e janarit do të jetë e rëndësishme edhe për ata.”

“Partizani ka pas problem me sulmuesit, ashtu si krejt Superiorja, në fakt. Afrimi i Ekubanit e ka kompensuar disi këtë gjë. Eshtë i fuqishëm në dyluftime, ka shënuar gola. Kukësi vazhdon të jetë me Pejiç, por ai ka mbështetjen e krejt skuadrës. Salihi nuk është mbështetur sa duhet në këtë kampionat, ndaj nuk ka dalë në pah.”

Për arbitrat: “Në lidhje me gjykimet jam skeptik, sepse në momente të veçanta po ndërhyjnë dhe po luajnë me djersën e skuadrave të veçanta. Futbolli ynë nuk është aq i shpejtë sa gjyqtarët të gabojnë në dhënie penalltish të paqena, fjala vjen. Pra, veç gabimeve njerëzore, konstatoj edhe subjektivitet nga rrushfeti i “bluzave të zeza”. Fjala vjen, Kukësi më duket më i përkëdheluri nga arbitrimet deri tani. Krijimi i Ligës Profesioniste do të ishte një hap shumë i madh për futbollin tonë, sepse presidentët do të kishin në dorë fatet e veta. Kjo ligë duhet të krijohet, sikurse është bërë në të gjithë Europën.“

S'KA KOMENTE

Comments are closed.