Flet portjeri Selimaj: Jam i bindur se nuk kthehemi pa pikë nga Kukësi

0
SHPËRNDAJE
Loading...


Fitorja ndaj Tiranës, pak ditë më pare, ka shkaktuar një kënaqësi të madhe në Shkodër, për shumë arsye. Tifozët, sidomos, janë të lumtur, sepse skuadra e tyre ka mundur një nga rivalët e përjetshëm. Por një situatë e tillë duket sikur ka “dehur” futbollistët dhe stafin teknik, sepse ideja është që tashmë objektivin e kanë arritur. Nuk mendon kështu portieri Erind Selimaj, i cili ka bindjen e plotë se skuadra do të arrijë të marrë pikë edhe në ndeshjen e radhës, në Kukës: “Nuk ka pse të jemi të kënaqur me këtë çfarë kemi arritur deri tani. Kemi edhe diçka për të bërë, kalimin e Luftëtarit në renditje. Ndoshta vetëm me tri ekipet e para Vllaznia nuk mund të matet, me të tjerët po.

Për të kapur vendin e katërt do të na duhet shumë punë. Për këtë arsye jemi të vendosur të tentojmë deri në fund. Që në ndeshjen e radhës, në Kukës, do të tentojmë të marrim pikë. Mund të duket disi e pamundur, por në fushë besoj se ka për të qenë tjetër histori. Ne shkojmë me besimin për të mos u kthyer pa pikë nga kjo transfertë”. Prej disa ndeshjesh Selimaj është duke luajtur si titullar në formacionin e kuqebluve, dhe, nga sa shihet, do ta mbyllë i tillë. Vetë ai shprehet i kënaqur për këtë gjë dhe premton të japë më të mirën në vazhdim: “Vërtet kam pritur pak gjatë, megjithatë tashmë po mundohem ta shfrytëzoj këtë moment. Po përpiqem të jap gjithnjë më të mirën për Vllazninë. Jam duke punuar fort dhe shpresoj t’i bëjmë një mbyllje si duhet këtij sezoni”.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.